REPORTAZH/ “Pas domuzit vjen topuzi”: lufta për vendet e punës përplasi PDIU-PS në Dibër

632
Një makinë policie në qendër të qytetit të Peshkopisë. Foto: Sami Curri

Autor: Sami Curri  BIRN  Peshkopi

Një javë pas përleshjes me shkopa bejsbolli mes përfaqësuesve të PS dhe PDIU, qyteti i Peshkopisë jeton nën masa të rrepta sigurie ndërkohë që palët akuzojnë njëra-tjetrën për gjueti shtrigash apo shantazh- konflikt që ka si burim vendet e punës në administratë.

Me kokë të fashuar dhe sy të enjtur e të mavijosur, Hektor Daci, 48 vjeç, me detyrë specialist auditi në bashkinë Dibër është ende i shtruar në dhomën numër 5 në kirurgjinë e spitalit të Peshkopisë.

E ëma, një arsimtare e dalë në pension i qëndron te koka dhe kujdeset për të.

“Kam qenë në punë dhe vetëm kam parë një grup njerëzish të cilët po rriheshin. Jam futur që t’i ndaj sepse zyrat i kemi shumë afër. Ishin afro 20 a 30 vetë me shkopa bejsbolli, hekura nëpër duar, një pjesë prej tyre punojnë në bashki,” thotë me zë të ngjirur Daci.

Tre të tjerë përveç Dacit mbetën të lënduar prej sherrit të 31 Janarit  me mjete të forta mes anëtarëve të PDIU-së dhe punonjësve të bashkisë- simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët po kurohen tashmë në shtëpi.

Përplasja në fillim të shkurtit solli arrestimin e nënkryetarit të bashkisë, Ernolt Cani, i cili akuzohet se drejtoi sulmin ndaj kolegëve socialistë. Sherri i dha fund fizikisht koalicionit lokal mes PS dhe PDIU-së, i cili u mundësoi socialistëve që të rifitonin Bashkinë e Peshkopisë me rezultat edhe më të thellë, pas shkarkimit prej skandalit seksual të Shukri Xhelilit i cili po ashtu vinte prej rradhëve të tyre.

Palët pranojnë se sherri ka si motiv kryesor vendet e punës në administratë dhe shpërtheu pas shkarkimit të Shaban Uklalës, ish-drejtues i burimeve njerëzore në bashkinë e Dibrës dhe përfaqësues i PDIU-së. Në vend të tij u emërua Drini Mata.

Bashkia Dibër paguan rreth 860 punonjës dhe prej tyre, 271 janë nën varësinë e drejtorisë së burimeve njerëzore. Emërimet në administratë janë një prej mjeteve kryesore elektorale të partive politike në vend, duke qenë se në shumë zona ato janë të vetmet vende të mundshme pune dhe po ashtu hambari kryesor i votave.

Për këtë shkak, përplasja duket edhe si fillimi i një luftë politike lokale për zgjedhjet e ardhshme. PDIU, aleati i “vogël” i PS që zbuloi së fundmi se kishte një bazë të fortë elektorale në Dibër, ia doli të ishte forcë e parë në këtë zonë elektorale në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere, me 2 pikë përqindje më shumë se socialistët. Në PDIU-në lokale nuk e mohojnë oreksin për të dalë me një kandidat të tyrin për bashkinë në zgjedhjet lokale të rradhës.

Shenja të fërkimit ishin dhënë edhe më herë, kur Reme Lala e cila u zgjodh deputete nga lista e PDIU në Dibër, sulmoi në Kuvend nëntorin e vitit të kaluar Muharrem Ramën, kryebashkiakun e zgjedhur prej koalicionit mes PDIU dhe PS, duke thënë se shkonte në bashki “vetëm pasi kishte pirë pesë dopjo raki” dhe se vendimet vetëm në interes të familjarëve të tij “ishin të njollosura me yndyrë qoftesh”.

Policia dhe kreu i Bashkisë së Dibrës, Muharrem Rama nuk pranuan të komentonin incidentin e rëndë. Zyra e shtypit e policisë tha se i qëndronte deklaratës së bërë më herët ditën e ngjarjes, ndërsa kryetari i Bashkisë nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për të folur.

Pas përplasjes fizike me mjete të forta dhe shkopa bejsbolli  në zyrat e bashkisë, qyteti është nën masa të rrepta sigurie. BIRN mësoi se tre furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë janë vendosur aty që pas përplasjes, ndërsa policia ruan bashkinë dhe hotelin ku qëndron Drini Mata, i emëruar së fundmi drejtor i burimeve njerëzore.

Mata, që nuk është dibran dhe që ka shkuar atje vetëm së fundmi nga Tirana, i tha BIRN se sherri ishte nisur për ta shantazhuar, madje “për ta vrarë”.

“Kjo ishte për të më vrarë mua dhe sot jam nën ruajtjen e Policisë së Shtetit për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin ata individë”, tha Mata për BIRN përmes telefonit.

Për përfaqësuesit e PDIU-së, Mata me origjinë nga Tepelena është provokuesi i përplasjes pasi ka dhënë masa disiplinore ndaj punonjësve të bashkisë që vijnë nga PDIU.  Paraardhësi i Matës në postin e drejtuesit të burimeve njerëzore thotë se në konflikt janë përfshirë persona që punojnë si truproja të Matës dhe që s’kanë lidhje me bashkinë.

Shaban Uklala, ish-drejtori i burimeve njerëzore në bashkinë Dibër, i zëvendësuar nga Drini Mata. Foto:Sami Curri.

“Personat që kanë qenë shoqërues të Matës, menjëherë pas sherrit, po atë ditë janë emëruar në punë si e si për të fshehur krimin në grup që kanë bërë. Ky është një skandal i vërtet dhe organet kompetente duhet të bëjnë zbardhjen e saj,” thotë për BIRN Shaban Uklala.

Ndërkohë që palët shkëmbejnë akuza prej së largu, qytetarët e Dibrës janë të tronditur dhe të frikësuar. Shumica e qytetarëve refuzojnë të flasin për ngjarjen ose këmbëngulin të mos citohen me emër.

Vetëm një prej banorëve pranoi të fliste dhe të citohej. “Është një shprehje që themi ne dibranët, ‘iku domuzi dhe vjen topuzi’, pra një herë duhemi e një herë rrihemi. Por një ngjarje e tillë s’është aspak mirë për Dibrën, që na nxjerr namin e keq në media,” thotë Bilbil Çenga, murator në pension që tani merret me blektori.

Deri tani vetëm Ernolt Cani, 34 vjeç nga Peshkopia, me detyrë zv/ Kryetar i bashkisë Dibër është i arrestuar. Cani akuzohet për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës, me shumë se një herë, të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë policia njoftoi në komunikatën për shtyp pas ngjarjes se është vënë në kërkim edhe të një shtetasi tjetër.

Për drejtuesit lokalë të PDIU-së, arrestimi i tij është politik. Ata drejtojnë gishtin drejt të plagosurit Hektor Daci dhe personave që shoqëronin Matën, që sipas tyre janë emëruar në bashki por punojnë si truproja.

Alti Çoku, sekretari organizativ i PDIU-së në Peshkopi akuzoi kryebashkiakun Muharrem Rama se ka prishur marrëveshjen politike me ta, ndërkohë që hedh dyshime se i plagosuri Daci ka qenë në rolin e truprojës së Matës ditën e përplasjes së dhunshme.

“Edhe Hektor Daci që sot është në spital nuk e di se çfarë pune bën, por atë ditë kur ka ndodhur përplasja ka qenë në rolin e shoqëruesit të Matës,” tha Çoku për BIRN.

Megjithatë, vendet e punës në administratë duket se qëndrojnë në thelbin e tensionit mes PS dhe PDIU-së lokale.

Shaban Uklala, ish-drejtues i burimeve njerëzore në bashkinë e Dibrës thotë se pas emërimit të Drini Matës, ndaj punonjësve-simpatizantë të PDIU-së “ka filluar një gjueti shtrigash”.

Mata mohoi persekutimin politik të punonjësve që vijnë nga PDIU.

“Nuk është aspak e vërtetë që janë shkarkuar apo kanë marrë masa disiplinore ata që vinin nga radhët e PDIU, por vetëm janë bërë lëvizje paralele,” tha Mata. Por ai shtoi se në punë ka gjetur persona me arsim 8-vjeçar dhe kjo sipas tij “shkon totalisht ndesh me reformimin e administratës dhe ligjet”.

Uklala mohon që kjo të jetë e vërtetë dhe shton se kishte marrë vlerësim maksimal nga kryebashkiaku Muharrem Rama për punën e bërë. “Drejtori i burimeve njerëzore nuk emëron persona në punë, por kryetari i bashkisë. Shkarkimi im është bërë për të mbuluar afera të rënda korruptive që bëhen në bashkinë e Dibrës. Më dërguan si specialist i ndihmës ekonomike, detyrë të cilën nuk e kam pranuar,” thotë Uklala.

Bilbil Çenga, i cili i është kthyer blegtorisë në moshë të pensionit  thotë se në zonë mungon një industri që të sigurojë punë për njerëzit, ndaj sipas tij ata janë kthyer në militantë dhe i janë sulur administratës.

“Bashkë me djemtë, i jam futur në këtë moshë blektorisë dhe me atë mbahem. Nuk e kemi parë zgjidhjen që të varemi politikisht e të rrimë tek dera e partisë për punë,”përfundoi ai.

***RRETH AUTORIT:
Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqizaime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.