REPORTAZH/ Në kërkim të gurit të bekuar (Foto+Video)

1057

Reportazh- Nga Sami Curri

Tempraturat  për nesër sipas shërbimit Meteorologjik Ushtarak do të jenë 15ºC  në zonat e ulta dhe 7ºC në ato malore, me alternime vranësirash”.
Nesër do të kisha edhe motin në krah, në rrugëtimin tim për në galeritë e Bulqizës, në kërkim të gurit të bekuar për një pjesë, por të mallkuar nga disa të tjerë.

Kisha folur me një kushëririn tim, që kishte pozicion drejtues në njërën prej galerive të Bulqizës, në zonën mineral mbajtëse “D”. I kisha shpjeguar se kisha një detyrë, që të realizoja një reportazh për në shkollë, dhe kisha zgjedhur të vëzhgoja punën e një punëtori në galeritë e Bulqizës. Më pranoi, por me një kusht, të mos merresha me shumë detaje, duhej ta pranoja një pakt të tillë. Për vizitën time në zonën mineralmbajtëse “D”, kisha lajmëruar edhe dajën tim që punonte minator aty, për më shumë se 40 vite, dhe se për një ditë do të duhej të ishim “koleg”.

Dita nisi shumë herët, rreth orës 05:00, u zgjova, mora çantën me ushqimin e asaj dite, çantë që e përdorja në universitet për të vendosur ushqimin e trurit, sot vendosa ushqimin e trupit, tre stirolapsa, një bllok, telefonin dhe një ndriçues të marrë borxh. Në orën 05:30 hipa në urbanin e lagjes, që në atë orar bënte transportin e punëtorëve për në galeritë e Bulqizës. Aty gjendeshin edhe disa shokë të mij të gjimnazit, të cilët nuk vazhduan dot më tutje dhe u detyruan të fillojnë punë në galeritë e Bulqizës.

Furgoni kishte diku tek 15 persona, të gjithë djem të rinj, që thuajse po i zinte gjumi. Shoferi, një mik i imi, më pyeti se për ku e kisha ndarë mendjen kështu!?
“Me ju, do shkoj në zonën D, ashtu për një punë” – Ju përgjigja.
Takoj ata që ishin aty dhe ulem pranë disa shokëve të mi, rruga thuajse ishte e heshtur, drita akoma nuk kishte zbardhur.

Udhëtuam për rreth 15 minuta dhe diku nga ora 06:00 mbërritëm në qendër të qytetit. Dritat ndriçuese të qytetit dhe drita natyrore krijonin një muzg. Qyteti ishte gjallëruar, kishte shumë lëvizje, njerëz që endeshin lart e poshtë, masa dërrmuese të rinj. Kafenetë hapeshin herët që në orën 05:30. Takoj Landin, kolegu im për një ditë, pasi u përshëndetëm më kërkoi të takoheshim në orën 06:30 tek makina që do të ngjiteshim sipër, e parkuar përpara ndërtesës së Televizionit lokal.

Kafen e mëngjesit, po e pija me shokët e mij të gjimnazit, dy djem që i kisha njohur nga klasa e parë dhe kisha shkuar me ta deri në klasën e 12-të. Pasi morëm porosinë filluam të flisnim, jo më si dikur, por për punën dhe problemet që hasnin, djemtë punonin në një firmë tjetër, ndryshe nga ajo ku do të shkoja unë.

Kafeneja ishte e mbushur  plot e përplot, në zhurmën e diskutimeve, tymit të duhanit, punën e ekspresit dhe me në sfond televizorin e stacionuar tek TV Klan, ku në atë kohë po ritransmetohej emisioni “Takimi i pasdites”, flitej për pushimet e dimrit. Një pjesë diskutonin ndërmjet tyre, disa të tjerë shikonin emisionin, ndërsa një pjesë as që e kishin mendjen tek ajo se çfarë flitej, por rrinin të qetë.

Si për ironi, andej nga fundi flet një burrë rreth të 40-tave. “Kjo e ka në terezi, edhe unë këtë hall kam, ku do t’i kaloj pushimet, por më parë duhet të siguroj bukën e gojës”. Të gjithë e pinin kafen nxitimthi, thuajse po i ndiqte ndonjëri nga pas. Në 06:25 të gjithë filluan të ngrihen, gjithësecili për në drejtim të makinave të firmave se ku punonin.

Takova Landin, kolegun tim për një ditë, po prisnim makinën të vinte dhe të na merrte. Pak më tutje ishte edhe minator Petriti, për më shumë se 40 vite minator, daja im. “Hë nipçe erdhe, punën më të vështirë ke sot, se një ditë të kemi”- mu drejtua ai, duke qeshur.

Hipëm në makinë, një foristradë 4 vendëshe, por që ne ishim pesë. Nën ritmet e muzikës Greke në sfond, disqe që i kishin ngelur drejtuesit që prej kohës kur kishte qenë emigrant, dhe nostalgjik për atë kohë. “Kusho kujdes se çfarë shkruan, jemi në shqipëri këtu, duhet të bësh ashtu siç të thonë”- mu drejtua mua që në nisje. Por, gjatë gjithë rrugës mora leksione gazetarie se si duhej të veproja.

Një autokolonë makinash, niseshin nga qendra e Bulqizës për në drejtim të zonës mineralmbajtëse “D”. Në to qëndronin qindra punëtorë. Rruga ishte si mos më keq, gropat e krijuara nëpër të ishin si puse të lëna në gjysëm. Makinat e transportit si mos më keq, nuk ja kam idenë se si mund ta kenë kaluar kontrolli teknik.

Baki Nr7

Rreth orës 07:30 mbërritëm në qytezën “D”, siç quhet në gjuhën vendase. Një vend që gumëzhinte nga zërat e punëtorëve, makina të tonazhit të rëndë që lëviznin lart e poshtë, zhurma kompresorësh*, vagonësh, fadroma të cilat ngarkonin mineral, gra të cilat bëheshin gati për të filluar punë në stogjet e kromit dhe bashkë me ta edhe fëmijë. Në zonën “D” akoma janë ndërtesat e periudhës së komunizmit, gjysëm të rrënuara, sa nga koha, por edhe nga avancimi i stogjeve të gurit mbi to, që shërbejnë si vend për ndërrimin e punëtorëve.

Baki Nr9

Bashkë me punëtorët e tjerë, ngjisim një rrugë që të çonte tek galeria. Pasi mbërritëm tek një ndërtesë që shërbente si vend ku ndërroheshin punëtorët, një pjesë prej tyre fillojnë të hanë mëngjesin. Kishin bërë bashkimin e disa dërrasave, duke formuar kështu një tryezë, disa trungje pemësh për t’u ulur, dhe filluan të hanin mëngjesin, bashkë me to edhe unë. Filluan të më pyesnin se kush isha, ku njëri nga ata që sillej si drejtues aty, më thotë: “Doktor, ti ç’bën këtej?”. Ju përgjigja dhe i thash se nuk isha doktor, por student i Gazetari dhe komunikim. –“Po ngase je me syze prandaj, se nuk është se shikoj me syze këtej unë”– mu përgjigj. I shpjegova më me hollsi se kush isha dhe pse ndodhesha aty.

“Aaaaa qenke nga ata spiunët, se mos të shpëton ndonjë gjë ëëë, se na hap punë. Me kujdes, qëndisi fjalët, por me kujdes, se këtu hajm ushqim ne, se për vete e ke, të shkojnë syzet mbrapsht pastaj, jo për gjë!”– mu përgjigj.

 U desh ndërhyrja e kushëririt tim që të ndalonte këtë lojë fjalësh, duke i bërë të qartë se isha me të dhe se nuk përbëja problem. Pak metra më tutje ishte edhe minator Petriti, mbante dy qese të mbushura me eksploziv në krah, dhe disa kapsolle. Hë nipçe, -më thirri nga larg, mirë!? Thjeshtë e përshëndeta me dorë si shenjë konfirmimi se gjithçka shkonte mirë. Landi, kolegu im për atë ditë, më kujtoi se duhet të ndërroheshim dhe të bëheshim gati për në punë. Vendi ku ndërroheshin punëtorët, ishte një “masakër” e vërtet, edhe stalla e bagëtive ishte më mirë. Pluhur, çizme, rroba të grisura, varse rrobash të bërë nga vetë punëtorët me gozhda, punëtorë që diskutonin ndërmjet tyre për kasketat, se këta të fundit, si mjeti më thelbësor i sigurisë në punë, mungonin. – “Jo po e jotja, jo po e imja”, shtanga, vetëm i shikoja. Në vete duhej të më sillte Landi dhe të më kujtonte se duhej të ndërrohesha.

Ashtu lecka-lecka, me një kasketë ku thërret qameti, u nisëm për në drejtim të galerisë. Roja e objektit na printe, pasi duhej të hapte portën e galerisë. Si në një luftë, ku secili ushtar e dinte pozicionin e vet, edhe këta punëtorë e dinin të tyrin. Disa prej tyre morën nga një vagon dhe u nisën për në thellësi të malit, ndërsa të tjerët u nisën në këmbë, bashkë me to edhe unë. U futëm për në thellësi të galerisë, sa më shumë avanconim, aq më i ftohtë bëhej ajri, për këtë ishim veshur trashë, që t’i bënim ballë dimrit të përhershëm të galerisë.

MINIERA E BULQIZES

Ecëm diku 700 metra në thellësi të malit, galeria nuk ishte më shumë se 1.50 cm e lartë dhe 2 m e gjërë. Shembje dhe zhurmë nga të gjitha anët. Gjatë rrugës po flisja me Landin, dhe po mundohesha të mësoja diçka më shumë nga jeta e tij. Po më tregonte se kishte punuar në disa galeri të ndryshme dhe se kishte parë nga situatat më të rrezikshme. Por, kishte një familje për të mbajtur, kishte një vajzë për të rritur, ishte me qera, duhej të punonte, se për ndryshe i ishin këputur krahët. Për disa vite kishte qenë emigrantë në Greqi, por ishte rikthyer për shkak të krizës që e kishte prekur edhe vendin e punës ku ai kishte punuar.

Procedura e punës ishte e tillë: materiali do të lëshohej nga dushkat*, me lopatë, duhej të futej në vagon, por me kujdes, pasi duhej të selektohej, të ndahej guri nga kromi. Kromi ishte shumë i rëndë dhe me shkëlqim, ndërsa guri më i lehtë. Lufta bëhej për kromin, dhe shrytëzimi nuk njihte kriter për këtë mineral.

Për aq kohë sa kam qëndruar në galeri, e kam goditur kokën shumë herë në trarët e drurit, pasi nuk isha mësuar me galerinë, por edhe se isha paksa i gjatë.

Në orën 11:00 vinte ajri dhe duhej të bëheshin bira, ku në to të vendosej eksplozivi, që të sigurohej materiali për turnin e dytë. Marteli*, që shërbente për të bërë birat në masivin shkëmbor, ishte shumë i rëndë. Gjatë kohës që punonte bënte një zhurmë të madhe dhe nxirrte një pluhur që mbulonte tër atë sektor të galerisë ku unë po punoja.

Gati s’na u zu fryma, për mua që isha për herë të parë ishte e rëndë, ndërsa për djemtë e tjerë që ishin mësuar, ishte kthyer në normalitet. Minatori dhe marteli “kërcenin” së bashku, ku minatori kontrollonte martelin, ndërsa ky i fundit kontrollonte atë.

Një orë tym dhe zhurmë. Që prej orës 08:00 vagonat me mineral dilnin jashtë. Vetëm një i tillë, sipas disa vëzhgimeve të mia kushton 250$. Nga ora 08:00 deri në orën 13:00, një kolektiv prej 5 personash nxori 12 të tillë, pra e përkthyer në total 3000$, ndërsa një punëtorë paguhej vetëm 2000 lekë në ditë, minatori 5000 lekë. Këtu ishe në “betejë” me jetën, futeshe dhe mund të mos dilje i gjallë, aksidenti më i fundit kishte ndodhur dy vite më parë, ku kishte humbur jetën një minator, pa përmendur këtu aksidentet e ndryshme të cilat ishin shumë të shpeshta.

Në oën 13:00 dolëm nga galeria, ashtu si “xixëllonja” me dritë në kokë, njëri pas tjetrit, pas dy minutash, teksa po ecnim rrugës, shpërthen edhe eksplozivi, i gjithë vendi po tundej nga forca shpërthyese. Sapo dolëm jashtë, u deshën pak minuta që të vij në vete, ishte shumë nxehtë, por në fakt kështu më dukej, pasi kisha kaluar nga i ftohti ekstrem në tempraturat e ajrit. Qyteza “D” gumëzhinte. U rikthyem sërisht atje ku u ndërruam në mëngjes, mes pluhurit dhe pisllëkut. Minator Petriti po më priste. “Hë nipçe, si vajti puna?!”, duke qeshur i themë “Pasha”, një citat i drejtorit të portokallisë. Daja, po kot qaheni, ju qenkeni mirë fare, edhe ai po me ironi ma ktheu, “Por çfarë flet, ne mezi presim të vij dita tjetër”.

Tani duhej të niseshim për në drejtim të qytetit. Ai i madhi, që mbahej për përgjegjës aty, më ndali. “Shiko student, mos i harro ato se çfarë të thashë në mëngjes, qëndisi fjalët me kujdes, sepse syzet nga para të shkojnë mbrapa”.Duke qeshur i themë: “Po po, më kujtohen, më kujtohen shumë mirë, pa problem”.

Nga të tillë njerëz duhet të ruhesh, i hipëm makinës, duke lënë pas qytezën “D”, që për shumë njerëz ishte kthyer në qytezën me gurin e bekuar, ndërsa për shumë të tjerë, në qytezën e vajtimit. Diku nga ora 16:00 isha në shtëpi, duke lënë pas një ditë sa me një eksperiencë të vyer dhe sa të rrezikshme njëkohësisht. Për mua kjo ishte një ditë, ndërsa për këta djem një rutinë.
Rutinë me një muzikë vajtuese në sfond, muzikë e cila është e heshtur, mbytëse, vjen andej nga thellësitë e malit, kjo muzikë ka një kompozitor, që është populli i Bulqizës.

________________________________________
Shpjegim termash

*kompresor– Makineri që pompon ajrin me një fuqi shumë të madhe, për në thellësi të galerisë, me qëllim për të vënë në punë mjetin që bën bira mbi shkëmb, ku vendoset eksplozivi.

*DushkatVrima të cilat lidhnin njërin kat të galerisë, me tjetrin dhe në të hidhej minerali, ku më pas merrej në katin e fundit, dhe hidhej në vagon.