Reforma territoriale, Bashkia Bulqizë harron fshatrat

815
Valikardhë, Njësia Administrative Zerqan. Foto: Porta Vendore

Autor: Sami Curri 

Centralizimi i pushtetit në duart e një bashkie të madhe, edhe pse ishte trumbetuar që do të sillte investime më të mëdha si në fshat ashtu dhe në qytet, ka bërë që shumë fshatra të mbeten në harresë dhe jashtë investimeve që ka kryer Bashkia Bulqizë. Banorët e këtyre zonave jetojnë me shpresën e vakët që diçka do të ndryshojë gjatë vitit të fundit të mandatit të kryebashkiakut. Ndërsa dëgjesat publike, të cilat janë një detyrim ligjor, në këtë Bashki nuk janë kryer që nga viti 2017.

Bashkia Bulqizë, pas reformës territoriale ka në përbërje 8 Njësi Administrative, të cilat janë: Bulqizë, Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren dhe Trebisht me 63 fshatra si pjesë përbërëse. Por prej vitesh kjo Bashki pjesën më të madhe të fshatrave i ka lënë jashtë investime, duke i centralizuar investimet në qendër.

Shaban Kurti, administrator i njësisë administrative Ostren, që në përbërje të saj ka afro 4000 banorë, të shpërndarë në 13 fshatra, shprehet për Porta Vendore se reforma territoriale e la në harresë ish-komunën Ostren. Kurti tregon se ka disa fshatra që akoma nuk kanë rrugë lidhëse me qendrën apo që abonentët familjarë të energjisë elektrike detyrohen që për të paguar një faturë energjie, p.sh 1000 lekë do të duhet të paguajnë 500 lekë biletë transporti vajtje dhe ardhje për në Bulqizë. “Ne sot akoma flasim për rrugë, hapje apo shtrim me asfalt. Aktualisht po bëhet vetëm një ujësjellës në një fshat dhe investime të tjera nuk ka pasur në Ostren. Ka pasur shumë më shumë investime në kohën kur ishim komunë”, tregon Kurti, për Porta Vendore.

Shaban Kurti, administrator i Njësisë Administrative Ostren. Foto: Porta Vendore

Në vitin 2018 për këtë njësi administrative ishte vendosur në dispozicion një fond prej 2,500,000 lekë për sistemimin e qendrës së Ostrenit. Por ky fond u bë “kurban” i shkurtimeve. Me një vendim të Këshillit Bashkiak të Bulqizës të muajit tetor 2018, ky zë finaciar që ishte parashikuar për investime në Ostren u zvogëlua duke shkuar në vlerën e 1,500,000 lekë.

Haxhi Zuna nga fshati Klenjë shprehet se ka vite që “dora e shtetit” si qëndror, por edhe lokal nuk ndihet në zonën e Gollobordës. “Ne nuk kemi rrugë për t’u lidhur me qendrën. Mungesë të ujit të pijshëm, ku thahesh për një pikë ujë. Ne, pushtetarët i takojmë vetëm në votime. Bashkia as nuk do t’ia dijë se ku jetojmë ne dhe me çfarë problemesh përballemi”, shprehet Zuna për Porta Vendore. Për Haxhiun dhe shumë të tjerë si ai që merren me kultivimin dhe tregtimin e patateve, për mbështetje në këtë drejtim as që mund të diskutohet. “Ne, me kultivimin e patateve merremi, por punë pa bereqet. Prej Ostrenit një orë larg nga Bulqiza dhe një orë larg nga Librazhdi, më thuaj mua se sa i shkon kostoja një kg patate?! Por tregu të nxjerr nga loja se vjen malli i importuar që del me një çmim shumë më të ulët”, rrëfen ai.

Haxhi Zuna , banor i fshatit Klenjë. Foto: Porta Vendore

Buxheti i Bashkise Bulqizë

Në buxhetin e vitit 2018, në relacionin përpara anëtarëve të Këshillit Bashkiak ekzekutivi parashikonte rreth 35 milionë lekë më pak investime, krahasuar me një vit më parë . Me anë të një kërkese për informacion, Porta Vendore iu drejtua Bashkisë Bulqizë për të mësuar mbi shpërndarjen e investimeve. Kjo e fundit refuzoi të përgjigjej me tabelën e investimeve, por shprehej që informacionin e kërkuar mund ta merrnim vetëm në portalin e prokurimeve publike. Me anë të një vëzhgimi në platformën openprocurement.al, në masën dërrmuese,zërat financiarë të tenderave të Bashkisë Bulqizëjanë për shërbime dhe investime të përqëndruara në qytetin e Bulqizës dhe në Njësinë Administrative Shupenzë.

Afro 44% e buxhetit të Bashkisë Bulqizë për vitin 2018, që Porta Vendore disponon, ka shkuar vetëm për pagat dhe sigurimet shoqërore të administratës së bashkisë, që për vitin 2018-të pësoi një rritje nga 365 të punësuar që kishte në 2017-ën, në 395 persona për vitin 2018.

Halil Jakimi, këshilltar i djathtë në Këshillin Bashkiak të Bulqizës shprehet se shpërndarja e pabarabartë e zërave financiarë të buxhetit të bashkisë është ngritur disa herë si problem nga këshilltarët e  Partisë Demokratike që në fazën e diskutimeve të buxhetit.

Halil Jakimi, këshilltar i djathtë në Këshillin Bashkiak të Bulqizës. Foto: Porta Vendore

“Mund të them se afro 80% e buxhetit të Bashkisë është përqëndruar me investime në qendër. Flasim për ato pak investime që bëhen sepse ka edhe investime që bëhen nga buxheti i shtetit. Nëkëshillin bashkiak, ne e kemi ngritur disa herë si shqetësim faktin e ndarjes në mënyrë jo proporcionale të buxhetit të bashkisë me investimet që bëhen në qendër dhe harresën e fshatrave, por asnjëherë këto kërkesa nuk janë reflektuar nga ana e Bashkisë Bulqizë”, u shpreh Halil Jakimi, për Porta Vendore.

Për periudhën 1 janar 2017-të deri në 1 tetor 2018-të,Bashkia Bulqizë ka lidhur kontrata për 96 tenderë të shpallur fitues me vlerë prej 359,453,903 lekë, ku në një shumë të tillë 8 kontrata tenderuese janë lidhur për tre njësi administrative me një vlerë prej 172, 645, 661 lekë, ku pjesa dërrmuese ka shkuar për investime në njësinë administrative Shupenzë.

Gazmend Kenga, Kryetar i Këshillit Bashkiak në Bulqizë që vjen nga radhët e Partisë Socialiste i tha Portës Vendore në një bisedë telefonike se buxheti i bashkisë e ka marrë dritën jeshile nga shumica e anëtarëve edhe pse me shumë debate. Për Kengën, si këshilltar por edhe si një ish-Kryetar i Komunës së Martaneshit, shpërndarja e zërave financiarë nga ana e Bashkisë Bulqizë do tëduhej të kishte qenë më e drejtë, pasi të gjithë njësitë administrative kanë nevojë për investime. “Nuk kemi njerëz të mirë që jetojnë në X njësi dhe njerëz të këqij që jetojnë në X njësi, kemi banorë të Bashkisë Bulqizë, të barabartë të gjithë që kanë nevojë për investime, në proporcion me numrin e banorëve. Por për shpërndarjen e investimeve, përgjegjësia direkte shkon mbi ekzekutivin e Bashkisë Bulqizë. Çdo projekt-buxhet ka debate të shumta përpara se të miratohet, por në këtë rast shumica e këshilltarëve ka qenë pro këtij buxheti”, shprehet Kenga për Porta Vendore.

Rruga nga Ura e Çerenecit për në fshatin Ostren. Foto: Porta Vendore

Njësia Administrative Zerqan, fshati që mban po të njëjtin emër është shpallur si një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri nga qeveria shqiptare. Në këtë fshat, para një viti do të drekonte Kryeministri Rama në një prej familjeve të fshatit, ku iu premtoi edhe sistemimin e kanalit vaditës të fshatit që kapte një vlerë prej afro 3 milionë lekësh, investim që do të zgjidhte problemin e vaditjes. Bashkia Bulqizë ka kryer dy tenderë me një vlerë prej afro 16 milionë lekësh për rehabilitimin e kanaleve vaditëse në njësitë administrative, por deri më sot që flasim asnjë qindarkë nuk është investuar në Zerqan për këtë problem. Zerqani, Fushë-Bulqiza, Trebishti dhe Ostreni kanë qenë njësitë administrative që në afro 3 vite nuk kanë parë as edhe një investim të bërë nga Bashkia Bulqizë.

“As edhe një metër kanal nuk është bërë edhe pse vetë Kryeministri na e premtoi një investim të tillë. Këtë vit kemi pasur shumë probleme me vaditjen. Një pjesë e tokave kanë ngelur djerrë për shkak të mungesës së ujit vaditës, pasi ai kanal, uji që vjen nga mali,është që në kohë të kooperativës dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Por edhe Bashkia Bulqizë nuk ka bërë asnjë investim. Hera e fundit që ka pasur ndonjë ndërhyrje nga pushteti vendor këtu ka qenë në periudhën kur ishte komuna, që është bërë asfaltimi i rrugës nga qendra e fshatit e deri tek rruga nacionale”, shprehet Lekë Kika, banor i fshatit Valikardhë në Njësinë Administrative Zerqan.

Danjel Bica, pjesë e shoqërisë civile në Bulqizë shprehet për Porta Vendore se njësitë administrative si Zerqani, Fushë – Bulqiza etj, prej vitesh nuk kanë marrë asnjë investim nga bashkia.“Zërat financiarë të investimeve janë shpërndarë në pjesën dërrmuese në qendër të Bulqizës dhe tek–tuk ndonjë investim në ndonjë njësi administrative”, u shpreh Bica.

Mungesa e dëgjesave publike

Nga ana tjetër, këto probleme, banorët nuk kanë pasur ku t’i ngrenë, pasi në thuajse të gjitha investimet publike që janë realizuar nga Bashkia Bulqizë nuk janë realizuar dëgjesa me banorët. Një fakt të tillë e mbështet edhe këshilltari i djathtë në Këshillin Bashkiak, Halil Jakimi, që edhe para miratimit të buxhetit e kishte nxjerrë në pah një problem të tillë. Si një shembull mund të merret edhe rasti i rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Shefqet Tançi” në Lagjen e Re në Bulqizë, ku prindër dhe nxënës pak ditë pas fillimit të vitit shkollor 2018-2019 u përballën me faktin që shkolla do të rikonstruktohej dhe se duhej të lëviznin në shkollat e tjera të qytetit, pa u njoftuar më parë, thirrur në një dëgjesë për atë se se çfarë do të bëhej.

Me anë të një kërkese për informacion, Porta Vendore iu drejtua edhe Bashkisë Bulqizë. Bashkia e pranoi faktin se për vitin 2017 dhe për 6 mujorin e parë të vitit 2018 nuk ka zhvilluar asnjë dëgjesë publike.

Kjo është një shkelje me të “dyja këmbët” e ligjit Nr. 146/2014 që detyron organet publike që të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik në të gjitha fazat, duke filluar nga publikimi i projektit, marrja e komenteve dhe rekomandimeve për përmirësimin e tij, organizimi i debateve publike e deri te miratimi i aktit përfundimtar.

Por në bashkinë Bulqizë, të kërkosh dëgjesa publike është njëlloj sikur të kërkosh ‘gjilpërën në kashtë’.

Për Danjel Bicën, drejtues i Shoqatës Ekspertët e Rinj Mjedisorë mungesa e dëgjesave nga Bashkia Bulqizëështë një problem prej vitesh. “Këtu edhe buxheti për vitin 2018-tëështë miratuar në mungesë të plotë transparence dhe pa zhvilluar asnjë dëgjesë me publikun apo edhe me grupe të ndryshme të shoqërisë civile. Ne e kemi mësuar që buxheti është miratuar, vetëm kur në media u publikua lajmi”, u shpreh Bica për Porta Vendore.

Në platformën openprocurement.al rezulton se bashkia Bulqizë prej vitit 2015-të deri në shtator 2018 ka lidhur kontratat për 143 tenderë me një vlerë prej 594,937,127 lekë pa tvsh. Tenderat me një vlerë mbi 5 milionë lekë janë fituar nga një grup i  ngushtë kompanish, shënuar me flamurin e kuq në platformë.

Në moninitorimin e kryer nga Porta Vendore rezultojnë një grup kompanish të cilat kanë marrë mbi 85% të tenderëve të Bashkisë Bulqizë.