Në Indeksin Kombëtar të Hapjes Institucionale për pushtetin vendor, rezulton se në qarkun Dibër, bashkia më pak transparente është ajo e Bulqizës. Këto janë gjetjet nga ekspertët e lëvizjes “MJAFT” në kuadër të programit ActionALBANIA, që kanë monitoruar një pjesë të konsiderueshme të institucioneve nga pushteti gjyqësor dhe legjislativ.
Lidhur me transparencën, bashkia Mat rezulton me rezultatin më të mirë, me 53.13%, ndjekur nga Dibra me 29.98% dhe Bulqiza me 18.55%. Në raport, bashkia Klos nuk është marrë në studim, duke mos publikuar asnjë të dhënë. Parimi i transparencës në raport përfshin informacionin organizativ, buxhetin dhe procedurat e prokurimeve publike, të cilat janë në dispozicion të publikut dhe të publikuara.
Raporti përmbante edhe të dhëna për aksesueshmërinë, lidhur me sigurimin dhe respektimin e procedurave për akses të lirë në informacion, duke përmirësuar disponueshmërinë e informacionit përmes mekanizmave të debatit publik dhe forcimin e ndërveprimit me qytetarët. Edhe në këtë pikë, bashkia Mat rezulton me rezultatin më të mirë, ndjekur nga Dibra dhe Bulqiza në fund.
Sa i përket integritetit, që përbëhet nga mekanizmi i parandalimit të korrupsionit, mbajtjen e kodit etik dhe rregulloret e lobimit, Bulqiza ka rezultatin më të mirë, ndjekur nga Dibra. Në këtë pikë, për bashkinë Mat nuk ka të dhëna.
Hapja institucionale, në raportin e ActionALBANIA vlerëson bashkinë Dibër me 42.12%, Bashkinë Bulqizë me 26.51% dhe bashkinë Mat me 10.55%.
ActionALBANIA synon të monitorojë institucionet publike në Republikën e Shqipërisë, duke gjeneruar Indeksin Kombëtar të Hapjes Institucionale, si dhe të ofrojë një set me rekomandime për përmirësimin e performancës aktuale të Kuvendit, Zyrës së Kryeministrisë, 11 Ministrive të Linjës, 38 Agjencive Ekzekutive, 61 njësive të vetëqeverisjes vendore dhe 77 struktura të pushtet gjyqësor.