Bashkimit Evropian i ka dorëzuar Qeverisë së Shqipërisë, raportin vjetor të Komisionit Evropian për paketën e zgjerimit. Aty vlerësohet ecuria e Shqipërisë në rrugën e reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian. Në kapitullin e mjedisit, raporti vë në dukje një sërë problematikash për të rishikuar dhe përmirësuar vlerësimet e ndikimit mjedisor, veçanërisht në sektorët e HEC-eve, ndërtimit, turizmit, transportit dhe minierave si dhe marrjen e masave të menjëhershme për të luftuar krimin mjedisor, veçanërisht në zonat e mbrojtura. Në raport preket edhe projekti i hidrocentralit të Skavicës, me ndikim mjedisor dhe socio-ekonomik në zonë si dhe në popullatat e rrëqebullit të Ballkanit, që përdorin këtë korridor për migrimin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjetjet kryesore në mjedis:
1. Zbatimi i Direktivave të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM) duhet të përmirësohen ndjeshëm në lidhje me projektet konkrete përpara ndërtimit dhe funksionimit, veçanërisht për HEC-et.
2. Cilësia dhe proceset e VNM-së duhet të përmirësohen.
3. Rekomandimet e pershkruara nga VNM-të zbatohen rrallë. Ato duhet të zbatohen dhe monitorohen.
4. VNM për Aeroportin e Vlorës u kritikua gjerësisht nga shoqëria civile dhe palë të tjera të interesuara, ndër të tjera, për mos marrjen parasysh te statusit te zonës së mbrojtur ku po zhvillohet projekti.
5. Në disa raste, VNM-te jane miratuar pasi kishte filluar ndërtimi.
6. Pjesëmarrja e publikut ne VNM dhe VSM si dhe konsultimi në vendimmarrje duhet të përmirësohet, veçanërisht në nivel lokal.
7. Zbatimi i direktivës së BE-së për mbrojtjen e mjedisit duhet të përmirësohet, megjithëse dënimet për krime mjedisore u rritën në 65 nga 45 në 2020. Këto krime kanë të bëjnë veçanërisht me shpyllëzimin, prerjet ilegale, zjarrvënien, gjuetinë dhe shitjen e kafshëve të egra dhe specieve të mbrojtura, nxjerrjen e zhavorrit nga shtretërit e lumenjve dhe hedhjen e mbeturinave në lumenj.
8. Zbatimi i parimit ndotësi paguan në zbatimin e legjislacionit është i dobët.
9. Buxheti i shtetit për mjedisin dhe ndryshimet klimatike mbetet shumë i kufizuar në vitin 2022 dhe jo i mjaftueshëm për zbatimin e acquis të BE-së.
10. Lëvizjet e shpeshta të stafit dhe punësimi i personelit pa ekspertizën e nevojshme ka dobesuar shume kapacitetin e administratës në këtë fushë.
11. Zbatimi i strategjisë kombëtare të cilësisë së ajrit 2014 është ende pezull dhe plani kombëtar 2019 për menaxhimin e cilësisë së ajrit nuk ofron një sistem funksional monitorimi.
12. Ndërtimi i një inceneratori të ri në Tiranë paraqet shqetësime në rritje për sa i përket përputhshmërisë me acquis të BE-së për mbetjet, duke përfshirë hierarkinë e menaxhimit te mbetjeve dhe objektivat e riciklimit. Për më tepër, politikat kombetare e menaxhimit të mbetjeve nuk synojnë të arrijnë objektivat e riciklimit të BE-së 2030.
13. Shqipëria duhet të promovojë ekonominë qarkulluese dhe duhet të stimulojë parandalimin, reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve, veçanërisht kompostimin, për të reduktuar depozitimin e mbetjeve. Zbatimi i legjislacionit për rrymat e mbetjeve duhet të përshpejtohet.
14. Pas miratimit në vitin 2020 të Planeve të Menaxhimit të Baseneve Lumore Drin-Bunë dhe Seman, Shqipëria duhet të vazhdojë me plotësimin dhe miratimin e pesë planeve të mbetura: Ishemit, Erzenit, Matit, Shkumbinit dhe Vjosës.
15. Performanca e sektorit të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve mbetet e ulët.
16. Legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të çojë në investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura.
17. Punimet e ndërtimit për aeroportin e ri të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosa-Nartë kanë nisur në dhjetor 2021, në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që tashmë janë ratifikuar.
18. Qeveria shpalli në dhjetor 2021 statusin e lumit Vjosa si Zonë e Mbrojtur, si një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës (megjithate duke perjashtuar deget e tij).
19. Edhe pse totali i sipërfaqes nën mbrojtje është rritur në 21% të territorit, kjo rritje ka ndodhur në brendësi të vendit, ndërsa zona bregdetare nën mbrojtje është tkurrur.
20. Shqipëria nuk siguron në mënyrë adekuate zbatimin e ligjeve për pyjet, prerjet e pyjeve dhe të dhënat e ndjekjes penale të shkelësve dhe zjarrvënësve janë të pakta, duke marrë parasysh numrin e lartë të zjarreve të qëllimshme dhe të paqëllimshme në 2021 dhe 2022. Nuk është raportuar asnjë dënim për këto raste.
21. Projekti i hidrocentralit të Skavicës në përgatitje pritet të ketë një ndikim të madh mjedisor dhe socio-ekonomik në zonë dhe të ndikojë në popullatat e rrëqebullit të Ballkanit që përdorin këtë korridor për migrimin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
22. Investimet në sektorin e rrugëve rrallë zbatojnë mbjelljen dhe restaurimin e detyrueshëm të shpateve të rrugëve dhe deri më tani në Shqipëri nuk është planifikuar dhe zbatuar asnjë kalim për kafshët e egra.
23. Plani per zbutjen e Efektit te Ndryshimeve Klimatike mbështetet në mënyrë të konsiderueshme në sekuestrimin e CO2 nga pyjet, megjithatë ka mjete dhe kapacitete financiare shumë të kufizuara të alokuara për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve duke përfshirë ripyllëzimin dhe masat e menaxhimit të rreziqeve nga zjarret në pyje. Kjo duhet të trajtohet urgjentisht.
24. Mungesa e një strukture administrative specifike për trajtimin e çështjeve të ndryshimeve klimatike mbetet një çështje shqetësuese serioze.
25. Nevojiten investime dhe përpjekje të konsiderueshme për përshtatjen klimatike, pasi Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Rritja e nivelit të detit, si dhe përmbytjet/ thatësirat pritet të prekin gjithnjë e më shumë njerëzit në mënyrë thelbësore, infrastrukturat publike dhe aktivitetet ekonomike.
(Të sjella në shqip nga Abdulla Diku)