Raport: Në Ballkan janë miratuar të ndërtohen 3,421 hidrocentrale, 724 prej tyre në Shqipëri

997
Punime për HEC-in Shini në përroin e Bizës dhe të Valit, degë e lumit Mat. Foto; Geri Emiri

Raporti i vitit 2020 për numrin e hidrocentraleve në Ballkan, përgatitur nga organizatat ndërkombëtare mjedisore “RiverWatch” dhe “EuroNatur”, paraqet në shifra numrin e hidrocentraleve në rajon.

Të dhënat tregojnë se janë planifikuar 3,431 HEC-e, ku 1,480 janë vënë në punë dhe 108 prej tyre janë në ndërtim e sipër. Hidrocentralet e vegjël përbëjnë pjesën më të madhe: 92% e projekteve të planifikuara kanë një kapacitet të instaluar prej më pak se 10 MegaVat (MW).

Raporti ngre shqetësimin se 1,595 e HEC-eve (45% e totalit) janë planifikuar ose ndërtuar brenda zonave të mbrojtura, 245 prej tyre në Parqe Kombëtare.

Sa i përket Shqipërisë, në total janë planifikuar 724 hidrocentrale, ku 290 janë vënë tashmë në punë, ndërsa 24 HEC-e të tjera po ndërtohen dhe 410 të tjerë janë planifikuar për t’u ndërtuar.

Screenshot nga studimi: “Hydropower Projects on Balkan Rivers”

Në Shqipëri, zhvillimi i hidrocentraleve është përshpejtuar veçanërisht. Në disa lumenj të mëdhenj si Devolli, degët kryesore të lumit të Matit dhe lumenjtë kryesorë të ujëmbledhësit të Drinit të sipërm po ndërpriten nga diga të mëdha dhe të mesme”, shkruhet në raport.

Hidrocentralet në Shqipëri, marrë nga studimi: “Hydropower Projects on Balkan Rivers”

Prodhimi i energjisë përmes lumenjve është i pranishëm dhe në pjesën tjetër të Evropës.

Raporti “Presioni i hidrocentraleve në Evropë”, i publikuar në vitin 2019, zbulon gjithsej 30,172 hidrocentrale në këtë kontinent. Prej tyre, 21,387 ekzistojnë tashmë, 8,507 janë planifikuar të ndërtohen, dhe 278 janë në ndërtim e sipër.

Shumica janë hidrocentrale të vegjël, shkruan më tej në këtë raport, teksa informojnë se këto HEC-e shoqërohen me kosto të madhe ekologjike, pasi ndërpresin lumin dhe kontribuojnë minimalisht në prodhimin e energjisë.

As pjesa tjetër e Evropës nuk shpëton nga ndërtimi i hidrocentraleve brenda zonave të mbrojtura.

21% (6,409) e hidrocentraleve në Evropë ndodhen në zona të mbrojtura, me 3,936 ekzistuese, 2,396 të planifikuara dhe 77 aktualisht në ndërtim e sipër.

Shtetet me intensitetin më të madh në hidrocentrale janë: Zvicra, Austria, Norvegjia, Franca, Gjermania dhe Portugalia, informon raporti.