Rama: Vettingu nuk ka nevojë për dialog

649

Kryeministri Edi Rama është shprehur se do të dialogojë me opozitën pa kushte, duke qënë e hapur për të dëgjuar çdo kërkesë të saj. I pyetur nga gazetarët për kërkesën e opozitës për qeveri teknike, Rama tha se është sovrani që ai vendos se kush është në pushtet e kush në opozitë.

“E vetmja gjë që ne nuk bisedojmë dot, ose mund ta bisedojmë po nuk vendosnim dot ne është ajo çka me Kushtetutë i takon sovranit. Është sovrani që vendos kush është në qeveri, e në opozitë. Është populli që me votën e vetë e ndan këtë punë një herë në katër vjet. Ne jemi në procesin e zbatimit të një kontrate që nuk ka skaduar akoma, po skadon në momentin kur populli rigjykon.

Momenti për të zbatuar ligjin e Vettingut, në bazë të Kushtetutës së ndryshuar dhe është momenti që PD të mos abuzojë dhe të mos shpërdorojë mekanizmin e kompromisit të nevojshëm dhe të shëndetshëm që është i shkruar në Kushtetutë duke i dhënë qeverisë dhe opozitës akses të barabartë në përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të Vettingut.

Opozita ka detyrimin të zbatojë kushtetutën në afatet e përcaktuara dhe të mos fshehë kokën përballë këtij detyrimi të madh kombëtar duke qëndruar në çadër. Në çadër mund të qëndrojë sa ta shoh të arsyeshme për çështje të tjera. Vetingun nuk e ndal dot. Opozita ka të drejtën e vet të kërkojë qeveri teknike, hidraulike, inxhinierike, energjitike, astronomike, janë të drejtat e opozitës.

Ne kemi detyrimin t’i konsiderojme me shumë seriozitet. Ne jemi gati të ulemi vetë ballë për ballë me këdo që paraqitet nga çadra dhe gati të diskutojmë çdo gjë, pa kushte. Patjetër që bëhet fjalë për dialog, për dy palë, dhe ka gjëra për të cilat s’mund të biem dakord”, është shprehur Rama.

I pyetur nëse do të hyjë në zgjedhje pa opozitën, Rama tha se çdo parti ka vendimarrjen e vet, por mendon se opozita do të hyjë në zgjedhje. Rama foli gjatë firmosjes së peticionit për reformën në drejtësi.

/ Top Channel