Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp, ku ka thënë se i ka kërkuar kandidatit socialist që të tërhiqet nga gara e së dielës.
Kjo, pasi sipas Ramës, ka një plan për trazira nga ana e PD-së.
“Shumëkush më shkruan që mos e lëshi 18 qershorin.
Mos kini merak, pasi edhe nëse do të doja, nuk mund ta ndryshojë.
Kjo gjë nuk është në dorën time dhe 18 qershori nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate.
Të tjerë më thonë mos ia zgjat atyre, pse ua zgjat, boll me ata, e me radhë e me radhë.
Iu lutem këtyre miqve të bëjnë durim dhe të mos e harrojnë se unë nuk jam vetëm kryetar i PS-së, por edhe kryeministër i këtij vendi.
Nëse si kryetar partie nuk e kam problem që PD të vrasë veten, si kryeministër nuk do lë asnjë gur pa lëvizur që çdo qytetar të ketë mundësinë të votojë.
Unë qesh me klubin mediatik, që thotë se nuk do të kemi opozitë.
Për sa kohë ka zgjedhje të lira dhe mund të marrë pjesë kushdo, s’mund të thuhet kjo gjë.
Kjo shumicë jo vetëm nuk ka bërë asgjë për ta shtyrë PD-në drejt vetëshkatërrimit, por ka bërë gjithçka për të kundërtën.
Ne duam që votuesit e saj besnikë të mos mbeten pa votuar.
Por ne do ta pranojmë me keqardhje çdo vendim të lidershipit politik të PD-së, për të ikur në drejtim të paditur.
Ka jo pak që e kanë mendjen tek e diela në Kavajë dhe janë të shqetësuar.
Me të drejtë shqetësohen, pasi shumë i tremben një përplasje fizike.
Të tjerë i friken një konflikti që synon të nxisë destabilitet në Shqipëri.
Dua të jem i sinqertë, që ka një plan për të nxitur destabilitet në Shqipëri, dhe këto nuk janë hamendje, por fakte.
Këtë e tregon edhe ngritja e çadrës.
Por siguroj çdokëend që ky plan do të dështojë dhe nuk do të ndodhë asgjë.
Por sfida jonë nuk është ajo çfarë do të ndodhë në Kavajë.
Sfida jonë është që të shkojmë deri në 18 qershor pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë çdo shqiptar.
Sfida jonë është që mandatin tjetër, t’i provojmë çdo shqiptari, se Shqipëria që duam nuk është vetëm e socialistëve, por edhe e demokratëve.
Prandaj provikimit antikushtetues, antiligjor dhe antidemokratik, të të tmerruarve nga drejtësia, ne nuk duhet dhe nuk do t’i përgjigjemi flakë për flakë.
Kavaja nuk do të kthehet në sheshin e luftës.
I kam sugjeruar kanddiatit tonë që të tërhiqet nga gara e së dielës, dhe këtë apel ia bëj edhe kanddiatit tjetër”, tha Rama.