Rama refuzon titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia Dibër

1346

Kryeministri Edi Rama refuzon titullin “Qytetar Nderi” i dhënë nga Bashkia e Dibrës. Në një reagim të shpërndarë për mediat, zyra e shtypit e Kryeministrit sqaron dhe motivin e refuzimit.

“Kryeministri Rama ka qenë, mbetet dhe do të jetë gjithmonë kundër titujve honorifike për politikanët në detyrë. Duke falënderuar të gjithë ata që mund të jenë nisur për mirë, Kryeministri Rama e refuzon titullin e qytetarit të nderit, dhënë sot nga Bashkia Dibër”, deklaron Kryeministria.

Në mbledhjen e kësaj të marte Këshilli i Bashkiisë Dibër i akordoi titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë, Kryeministrit Edi Rama. Burime pranë këshillit thanë për gazetarin Enver Doçi se propozimi është bërë nga një këshilltar. Propozimi ka marrë 16 vota pro dhe 4 kundër, nga 20 anëtarë të pranishëm në këtë mbledhje.

Si motivacion është paraqitur ndërtimi i “Rrugës së Arbrit”, megjithëse kjo vepër ende nuk ka përfunduar. Punimet për Rrugën e Arbërit nisën në qershorin e vitit të kaluar dhe Rama premtoi se do të mbylleshin brenda katërvjeçarit të tij qeverisës, pra deri në 2021.