Gjatë një aktiviteti të policisë së shtetit, Kryeministri Rama u shpreh se këtë vit do i “vihet kapak historisë së gjatë të kultivimit të kanabisit”.
“Sfida është përshkallëzimi i mëtejshëm i luftës kundër kultivimit të kanabisit. Pas shkatërrimit të “Republikës së Lazaratit”, ne kemi të gjitha arsyet ta konsiderojmë vitin 2017 si vitin që i vë kapak kësaj historie të gjatë. Puna e nisur me kontrolle të imta dhe të vazhdueshme në të gjithë territorin për të parandaluar mbjelljen e kanabisit, përbën një bazë inkurajuese që në vjeshtën e këtij viti ne të dalim krenarë përballë popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi kryeministri.
Ndër të tjera, Rama u shpreh se sot Policia e Shtetit është institucioni më i besuar në vend. Për shkak të këtij besimi të rikthyer, në tre vitet e fundit, telefonatat në numrat e emergjencës 112 dhe 129 kanë shënuar një rritje prej 56%, krahasuar me periudhën 2011-13.