Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se “PS do të realizojë reformën e ndarjes përfundimtare të partive nga shteti, pasi partitë nuk mund ta ndajnë shtetin në parcela dhe të cënojnë interesat e njerëzve të zakonshëm”.
Në një takim me gratë dhe vajzat e Gjirokastrës, Rama deklaroi se “shumë reforma nuk do të ishin bërë po të mos kishim koalicionin që kemi sot, por përveç reformës në drejtësi është shumë e rëndësishme edhe reforma e ndarjes përfundimtare të partive nga shteti”.
Për ta bërë këtë, vijoi kryeministri, na duhet që ne të kemi timonin e drejtimit dhe jo të mbajmë në prehër të tjerë, që duan edhe një dorë në timon, me kërcënimin se mund të ndalojnë atje, në atë kthesë.
“Kjo nuk është çështje njerëzish, është edhe sistemi. Ne duhet ta ndryshojmë sistemin e administratës shtetërore, ku të gjithë shqiptarët të hyjnë e të dalin pa pasur nevojën të jenë me këtë apo atë parti”, shtoi Rama. Në bashkëbisedimin me gratë dhe vajzat në Parkun e Viroit, Rama u ndal edhe te rëndësia e vendosjes së kuotave gjinore për përfaqësimin e grave në politikë.
“Ne i kemi vendosur kuotat gjinore që në statutin e PS-së dhe imponuam kuotat në këshillat bashkiak, ku vumë raportin 50 për qind gra dhe 50 për qind burra, duke synuar po ashtu kuota të barabarta edhe në qeveri”, tha Rama, duke shtuar se “gratë janë një garanci më e madhe se sa burrat kur marrin përsipër një punë”.
Ai kërkoi mbështetje për skuadrën e PS-së në Gjirokastër, jo vetëm nga gratë socialiste, por edhe nga gratë demokrate, meqë siç tha ai, “PD mendon se gratë në të gjithë këtë qark nuk kanë të drejtë të zgjedhin një grua”.
“Të gjitha gratë, të majta e të djathta pa dallim, duhet të bashkohen dhe të bëjnë një votë kuqezi për gratë. Këtu nuk është thjesht një betejë mes PS-së dhe PD-së, por edhe një betejë ku gratë duhet të fitojnë mbi burrat, gratë duhet të bashkohen dhe t’i japin një mesazh shumë të qartë PD-së”, shtoi Rama.
“Në 25 qershor kemi një votim shumë të rëndësishëm dhe historik, sepse në këto 44 muaj kemi vendosur vetëm themelet për të bërë shtet, siç shqiptarët e meritojnë. Pavarësisht të gjitha gjërave që nuk janë bërë akoma në këto 44 muaj, ju është dhënë prova se ky vend mund të bëhet dhe ne mund të bëjmë shtet, por këtë mund ta bëj vetëm PS.
Në 25 qershor vendimi do të jetë: a do të ndërtojmë mbi themelet që kemi hedhur shtëpinë e përbashkët, apo do të kthehemi prapa dhe do të përjetojmë një prishje themelesh dhe ta fillojmë nga e para. Shtetin ne e duam për të gjithë pa dallim, socialistë e demokratë. Një shtet që të garantojë se fëmijët e sotëm të këtij vendi, nuk do të jenë një tjetër gjeneratë e djegur nga marrëzia e pushtetit pa shtet”, tha Rama.
Duke theksuar angazhimin e PS-së për të punuar për të gjithë shqiptarët pa dallim bindjeje partiake, Rama solli si shembull dhënien e lejeve të legalizimit. “Ne legalizuam 135 mijë objekte pa parë nëse ishin të djathtë apo të majtë, dhe nga këto 93 për qind janë shtëpi. Ndërsa PD legalizoi 21 mijë objekte nga të cilat 80 për qind ishin hotele, lokale e lavazhe”, tha Rama.