Këtë të premte është lajmëruar sërish protestë, kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe të produkteve ushqimore. Në njoftimet e shpërndara në rrjetet sociale, thuhet se protesta do të zhvillohet në orën 17:00 në afërsi të mbikalimit tek Lagjja e Re në Bulqizë, rruga nacionale Peshkopi – Tiranë.
Prej ditësh në Shqipëri janë zhvilluar protesta masive, thirrur nga shoqëria civile dhe qytetarët. Ata kërkuan që qeveria të ndërhyjë për të marrë nën kontroll rritjen drastike të çmimeve të cilat në Shqipëri kanë pësuar ngritjen më të madhe se në çdo vend tjetër në Europë dhe në rajonin e Ballkanit. Në kërkesat e tyre ka qenë një paketë fiskale nga qeveria si ndihmë ndaj qytetarëve për të përballuar rritjen e çmimeve.
Qindra qytetarë protestuan të enjten në Bulqizë. Policia u përplas me protestuesit, ku mësohet se pas protestës janë telefonuar me dhjetra qytetarë për t’u paraqitur në Komisariatin e Policisë Bulqizë. Disa qytetarë, thanë në kushte anonimati se thirrja e tyre në Polici është presion për të mos marrë pjesë në protestën e ditës së premte, por që nuk do të dorëzohen përballë presioneve.
Tabelat e çmimeve të karburanteve nëpër qytetet dhe rrugët shqiptare ndryshuan me orë përgjatë dy ditëve të fundit. Çmime që u rritën nga 220 lekë për litër në 290 lekë dhe pas, në 220 lekë për litër ndërsa qytetarët protestuan me forcë ndaj asaj që duket se perceptohet si abuzim në treg nga një grusht tregtarësh të lidhur ngushtë me klanet politike të vendit.
Kryeministri Edi Rama u detyrua të merret me këtë çështje të premten, pasi u kthye nga një udhëtim në Dubai, duke premtuar çmim tavan në një takim të pazakontë me një grusht njerëzish, të cilët i prezantoi si “furnizuesit me naftë”.