Qeveria shton rrogëtarët dhe koston në kurriz të taksapaguesve

470
Kryeministri Edi Rama dhe ministra gjatë konsultimit për amnistinë fiskale. Foto: Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë

Numri i të punësuarve në sektorin publik në Shqipëri arriti në 186 mijë vetë në fund të qershorit të këtij viti, me një rritje prej gati 1,500 vetësh në krahasim me marsin, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të publikuara nga INSTAT të martën. Shtimi i të punësuarve në shtet ka qenë i vrullshëm gjatë vitit të fundit dhe duket se lidhet me fushatën zgjedhore të socialistëve të vitit të kaluar për zgjedhjet parlamentare, të cilat socialistët i fituan mes akuzave për politizim drastik të administratës shtetërore.

Në fakt, në tremujorin e tretë të vitit 2020, të punësuarit në sektorin publik ishin 171 mijë vetë ndërsa në krahasim me atëhere, shteti ka shtuar afro 14 mijë vetë në bordero, një rritje masive prej 8%, rritje që duket se po përmbys dy dekada përpjekje për reformimin e sektorit publik si dhe po gërryen aftësinë e buxhetit të shtetit për të angazhuar fonde në investime publike. Por shtimi i të punësuarve në sektorin publik duket se po shkakton në mënyrë indirekte edhe gropa buxhetore të fshehta, në formën e deficiteve të larta nëpër institucione të tilla si ujësjellës apo bashki, të cilat, në vend që të investojnë për të siguruar shërbimet publike bazë, si furnizim me ujë apo kanalizime, i shpenzojnë paratë duke shtuar të punësuarit për politikën famëkeqe të votave në këmbim të vendeve të punës.

Numri aktual i të punësuarve në sektorin publik prej 186 mijë vetësh është më i larti i shënuar që nga viti 2001, tregojnë statistikat e INSTAT.

Shqipëria filloi procesin e shkurtimit të administratës publike në fillim të viteve 1990 pas rënies së komunizmit, si pjesë e tranzicionit drejt një ekonomie tregu. Në vitin 2013, numri i të punësuarve në sektorin publik ra në 163 mijë vetë, niveli më i ulët në histori. Kjo tendencë është përmbysur pas ardhjes në pushtet të koalicionit PS-LSI më 2013 dhe në veçanti, pas marrjes së pushtetit nga socialistët më vete në vitin 2017.

Shkurtimi i të punësuarve në shtet është gjithmonë një politikë e dhimbshme nga pikëpamja sociale dhe me plot kokëçarje për politikën por ajo shkakton efekt pozitiv afatgjatë të konsiderueshëm në ekonomi. Efekti i parë pozitiv është çlirimi i fondeve buxhetore nga ngarkesa e pagesave të pagave dhe transferimi i këtyre fondeve te investimet publike, të tilla si ujësjelljësa, kanalizime apo rrugë, gjë që nga ana e vet sjell përmirësim të shërbimeve publike dhe rritje ekonomike. Efekti i dytë është transferimi në sektorin privat të të punësuarve me eficencë të ulët të sektorit publik, gjë që i detyron këta të punësuar të kontribuojnë në ekonomi me eficencë më të lartë.

Popullsia e Shqipërisë ka qenë vazhdimisht në rënie përgjatë dy dekadave të fundit, gjë që sugjeron që në fakt, shkurtimi i të punësuarve në sektorin publik do të duhej të vijonte. Në vitin 1991, Shqipëria numëronte 3.2 milionë banorë, ndërsa popullsia u reduktua në 3 milionë më 2001 dhe 2.8 milionë më 2011. Sot nuk është e mundur të dihet me saktësi se sa është popullsia aktuale banuese, por është e gjithëpranuar se ajo është më e vogël se sa 2.8 milionë banorë. Për rrjedhojë, numri i të punësuarve në sektorin publik në krahasim me totalin e popullsisë është në rritje në një kohë që duhej të vinte në rënie.

Kostoja për taksapaguesit është gjithashtu e konsiderueshme. Në tremujorin e dytë të këtij viti, paga mesatare bruto në sektorin publik ishte 68 mijë lekë. Të 14 mijë të punësuarit shtesë të qeverisë kushtojnë afro 8 milionë euro në muaj ose 93 milionë euro në vit. Me kaq para do të mund të rindërtoheshin 50 shkolla në vit apo të ndërtoheshin 90 kilometra rrugë me dy korsi.

Por pasojat në ekonomi duket se nuk mbarojnë këtu. Që prej vitesh, pagat në sektorin publik janë artificialisht më të larta se sa në sektorin privat. Për tremujorin e dytë, paga mesatare në sektorin privat ishte 57 mijë lekë ndërsa në sektorin publik ishte 68 mijë lekë. Me pak fjalë, shteti punëson njerëz me paga më të larta, eficenca e të cilëve dukshëm lë për të dëshiruar, duke i hequr këta punëtorë nga sektori privat, i cili aktualisht ankohet për mungesën e cilësisë dhe sasisë së punëtorëve.

Kjo politikë e punësimeve pa kriter duket se po krijon edhe borxhe të fshehura për buxhetin e shtetit. Të punësuarit në shteti ndahen në tre kategori: të punësuarit në administratën qendrore, të punësuarit në pushtetin vendor dhe të punësuarit në ndërmarrjet e sektorit publik. Të dhëna indirekte sugjerojnë se në fakt, shtimi i të punësuarve gjatë viteve të fundit ka ndodhur në pushtetin vendor dhe në ndërmarrjet e sektorit publik në një kohë që numri i të punësuarve në administratën qendrore në fakt ka ardhur në rënie.

Për shembull, buxheti i vitit 2012 numëronte gati 89 mijë të punësuar në administratën qendrore ndërsa akti normativ i fundit për buxhetin e vitit 2022 numëron afro 85 mijë vetë. Kjo sugjeron se rritja e të punësuarve ka ardhur nga pushteti vendor dhe ndërmarrjet jobuxhetore. Problemi është se në këtë sektor, niveli i transparencës financiare është shumë më i ulët se sa në qeverinë qendrore.

Aktualisht është e pamundur që të dihet me saktësi se sa janë të punësuar në bashkitë e ndryshme të vendit dhe se si kanë ndryshuar punësimet përgjatë viteve. E vetmja gjë që dihet është se numri i përgjithshëm i të punësuarve është rritur ndërsa telashet financiare të bashkive dhe të ndërmarrjeve jobuxhetore, tipikja e të cilave janë ujësjellësit, janë shtuar. Bashkitë nuk marrin hua dhe nuk kanë mundësi të krijojnë deficit buxhetor siç ndodh me qeverinë qendrore, por përgjatë viteve, ndërsa punësimet e tyre janë shtuar, në mungesë të të ardhurave, bashkitë kanë shtuar detyrimet e prapambetura. E njëjta gjë duket se ndodh me ujësjellësat, të cilët, për të paguar pagat e administratave të fryra, lënë pa paguar faturat e OSHEE-së.

Vitin e kaluar, vetë kryeministri Edi Rama pranoi ekzistencën e problemit me ujësjellësit, të cilët sakaq kanë krijuar mbi 20 miliardë lekë detyrime të prapambetura, të cilat janë në praktikë borxh publik i paregjistruar si i tillë. Megjithatë, administratat vijojnë të fryhen me punonjës në vend që të pakësohen.