Projekti i KLGJ-së për reduktimin e gjykatave në gjithë vendin ka marrë formë finale pas miratimit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke anashkaluar të gjitha kritikat kundërshtuese. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër do të jetë me seli në qytetin Peshkopisë dhe me kompetencë tokësore në bashkitë Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos.
Dhoma e Avokatisë kundërshtoi me protesta dhe bojkot të seancave nga avokatët, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut ngritën shqetësimin se mbyllja e shumë gjykatave do të pengonte aksesin e qytetarëve për drejtësi.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha për mediat pas mbledhjes së qeverisë se harta e re gjyqësore do të niste implemtimin nga data 1 shkurt 2023.
“Ky është produkt i shkëlqyer i një grupi ekspertësh të KLGJ, punë e shkëlyer 3 vjeçare, e cila u finalizua sot me miratimin e hartës së re në qeveri,” tha Manja.
Ai lajmëroi se në gjykatat që do të mbyllen nuk do të cënohet asnjë shërbim gjyqësor. “Qytetarët do të marrin shërbimet në strukturat ekzistuese,” tha ai.
Harta e re gjyqësore veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit, në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë. Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun. Debati për hartën filloi që pas disa takime konsultative, në të cilat ajo u kundërshtua ashpër nga avokatët, për shkak se sipas tyre pengon aksesin e qytetarëve të drejtësia.
Sipas ministrit implementimi i saj do të bëhet me faza duke nisur nga fillimi i vitit që vjen.
“Më 1 shkurt do të kemi përqendrimin e gjykatës së Apelit në Tiranë, më 1 maj gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe në 1 korrik gjykatat administrative të shkallës së parë,” tha Manja.
Sipas tij, implementimi i hartës së re gjyqësore do të sjellë risi në funksionimin e gjykatave, duke standardizuar kohën mesatare të dhënies së vendimit dhe shpërndarje të drejtë të çështjeve për gjyqtarët.