Qeveria e Zaevit merr besimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

505
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Foto: MIA

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i shprehu besimin Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, pas kërkesës së tij për votëbesim. Për Qeverinë votuan 62 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi, ndërsa opozita e bojkotoi votimin.

Paraprakisht, Zaev tha se e ka paraqitur kërkesën pas deklaratave të vazhdueshme të liderit të opozitës maqedonase, kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se shumica parlamentare e ka humbur mbështetjen dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ky është momenti kur duhet të shohim se kush sa numra ka në Kuvend, ne apo opozita, e cila vazhdimisht pretendon se do ta rrëzojë Qeverinë dhe do të formojë një shumicë të re. Lajmet e rreme dhe bllokadat krijojnë pasiguri politike. Unë nuk do ta lejoj këtë, andaj edhe kërkoj votëbesim për Qeverinë”, tha të mërkurën para deputetëve kryeministri Zoran Zaev.

Votëbesimi u bë pa debat, pasi Zaev e paraqiti kërkesën në bazë të nenit të rregullores mbi punën e Kuvendit, që nuk parasheh debat, por vetëm votim për punën e Qeverisë.

Opozita e kritikoi këtë propozim dhe tha se Zaev ka frikë të përballet me fjalimet e opozitës për dështimin e punës së Qeverisë.

“Ju keni frikë të përballeni me argumentet tona që dëshmojnë dështimet e kësaj Qeverie në të gjitha sferat. Ju keni dështuar ta menaxhoni vendin në krizën me pandeminë, ju keni dështuar në luftën kundër korrupsionit, madje jeni zhytur vetë në korrupsion dhe keqpërdorime të tjera të shumta. Dështimet janë evidente, andaj edhe duhet të përballeni me argumentet tona dhe jo të ikni nga përballja me to”, tha kryetari i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Edhe opozita shqiptare drejtoi kritika ndaj Zaevit për propozimin që votëbesimi i Qeverisë të bëhet pa debat.

“Qeveria tenton t’i fshehë dështimit në çdo lëmi të jetës: dështimet në arsim, shëndetësi, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, përfshirë edhe të drejtën për protestë. Për këtë them se opozita duhet të dëgjohet për punën e Qeverisë. Kjo është kopje e asaj që ka ndodhur në regjimin e kaluar”, tha Skënder Rexhepi nga koalicioni opozitar shqiptar.

Zoran Zaev, kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, drejton Qeverinë aktuale të Maqedonisë së Veriut që nga 31 gushti, 2020, pas fitores në zgjedhjet e 15 korrikut.

Partia e tij është në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe disa parti më të vogla.