Qeveria dhe policia e shtetit të respektojnë të drejtën e qytetarëve për tubime paqësore! Prej disa ditësh tashmë po zhvillohen protesta paqësore në qytetet kryesore të vendit, gjatë të cilave qytetarët i kërkojnë qeverisë të marrë masa për uljen e taksave mbi karburantet dhe të sigurojë subvencione për ngritjen e menjëhershme të çmimeve për produktet e shportës.
Kemi parë me shqetësim ndërhyrje jo proporcionale të forcave të policisë së shtetit, efektivë të maskuar apo të veshur civilë jo rrallë herë kanë përdorur dhunë në shoqërimin e mbi 200 protestuesve, 50 nga të cilët janë arrestuar ndërsa për rreth 150 të tjerët janë hapur procedime penale dhe janë shpallur në kërkim.
E drejta për tubim paqësor është një e drejtë themelore e njeriut, që u mundëson individëve të shprehen kolektivisht dhe të marrin pjesë në ndryshimin dhe formësimin e shoqërisë. Kjo e drejtë përbën gjithashtu themelin e një sistemi qeverisjeje me pjesëmarrje të bazuar në demokraci, të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe pluralizmin.
Si e tillë, kjo e drejtë duhet respektuar, pavarësisht opinioneve që mund të shprehë kushdo për këto protesta. Respektimi i ligjit është faktor kyç në shtetet demokratike për funksionimin normal të institucioneve të shtetit. Madje, një nga detyrat kryesore të qeverisë në kohë krizash, është t’i mbrojë shtetasit e vet nga pasojat e tyre, duke u sjellë me përgjegjshmëri në menaxhimin e punëve dhe të burimeve publike.
Pasojat e krizës së rritjes së çmimeve, i ndjejnë më së shumti shtresa e varfër e vendit, si dhe shtetasit që i përkasin grupeve më vulnerabël të shoqërisë. Sa më sipër, i bëjmë thirrje strukturave të Policisë së Shtetit, të mos ushtrojnë dhunë dhe represion ndaj protestuesve, si dhe të ndalojnë intimidimet e tyre nëpërmjet akuzave si ajo “për grumbullim të paligjshëm”, të cilat po hidhen poshtë rast pas rasti në Gjykatë, bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjit për të drejtën e tubimit.
Represioni i ushtruar ndaj qytetarëve apo medias së lirë, vetëm do t’i përkeqësojë gjasat për të marrë në konsideratë dialogun për të gjetur zgjidhje demokratike për çështjet e ngritura nga protestuesit.
Lista e organizatave të shoqërisë civile nënshkruese:
- Citizens Channel
- Civil Rights Defenders
- Community Reporters Albania
- Exit.al
- Instituti ALTRI
- Këshilli Shqiptar i Medias
- Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome
- Open Data, Shqipëri
- Open Mind Spectrum Albania
- Organizata “Drejtesi Sociale”
- Qendra “Res Publika”
- Qendra për Advokim Social
- Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare
- Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes
- Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri
- Qendra TREJA
- Shërbimi Ligjor Falas Tiranë