Që në ditët e para, pasi të merrte detyrën si kryetar i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, në profilin e tij në rrjetin social facebook, do të postonte disa foto të një eskavatori në fushën e futbollit. Ai do të lajmëronte nisjen e punimeve për fushën e futbollit. Por kanë kaluar më shumë se një vit e gjysëm dhe punimet kanë mbetur në vend-numëro.
Ndërtimi i fushës financohet nga një fond i përbashkët: donacion i vëllezërve “Keta”, bashkisë Bulqizë, kompanisë Albchrome dhe FSHF-së. Fondi i përbashkët i krijuar është në vlerën e afro 16 milionë lekëve të reja dhe afro 12 milionë lekë të reja tapeti, si financim i FSHF. Fondi do të menaxhohej nga Federata Shqiptare e Futbollit, dhe më 12 janar 2019-të do të nënshkruante një kontratë me kompaninë “New Albajrak shpk” e cila do të kryente punimet.
Por që prej janarit të vitit 2019-të, punimet për ndërtimin e fushës kanë avancuar me “hapat e breshkës”. Aktualisht është bërë shtrimi i fushës me shtresat e çakullit dhe stabilizantit sipër. Asnjë mjet nga kompania që ka marrë përsipër punimet nuk duket në terren. Ndërsa në dhomat e zhveshjes nuk është bërë asnjë investim.
Bulqiza ime u interesua edhe pranë FSHF-së lidhur me zvarritjen e punimeve për ndërtimin e fushës së futbollit, por këta të fundit nuk kthyen përgjigje.
Që prej vitit 2019-të, u themelua edhe ekipi i futbollit në Bulqizë, me kapital aksionar të kontrolluar 100% nga bashkia Bulqizë. Në dy sezonet sportive futbollistike, për vitin 2019-2020 dhe 2020-2021 bashkia Bulqizë ka financuar një fond prej 14,700, 000 lekë të reja. Një pjesë e këtij financimi ka shkuar për marrjen e ambienteve sportive me qira në Tiranë.
KF Bulqiza i tha Bulqiza ime në përgjigje të një kërkese për informacion se klubi në pamundësi të zhvillojë ndeshjet në shtëpi, ka një kontratë marrëveshje me kompleksin sportiv “Internacional” në Pezë Helmes, Tiranë. “Klubi zhvillon stërvitjen e ekipit dhe ndeshjet brenda. Nga marrëveshia e bërë klubi paguan 100, 000 lekë në muai për fazën e stërvitjes dhe 50, 000 lekë për ndeshjet brenda, deri në mbarimin e kampionatit.” thuhet në shkresën e KF Bulqiza.
Që prej themelimit të Klubit të Futbollit, për shkak të mungesës së fushës nuk ka luajtur asnjë ndeshje në Bulqizë. Bashkia Bulqizë, e cila është pjesë e grupit të financuesëve nuk ka nisur asnjë “betejë” ligjore për vonesën e punimeve nga kompania e kontraktuar nga FSHF.
Ismail Keta, një nga donatorët e tjerë të fondit për ndërtimin e fushës së futbollit, ka bërë disa herë apel në media, që fondi i dhënë prej tyre në afro 4, 500, 000 lekë të reja, të shkojnë për sportin në Bulqizë.