PS hap më 9 Maj zyrtarisht fushatën, mbledh Kongresin elektoral në Durrës

340

Pikerisht ne diten e pervjetorit te fitores mbi fashizmin, Partia Socialiste çel më 9 Maj zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Simbolike ose jo, kryeministri Edi Rama do të mbledhë të martën e javës që vjen Kongresin e PS në qytetin e Durrësit, ku do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale dhe beteja për 18 qershorin do të intensifikohet deri në ditën kur do të afrohet procesi i votimit.

Kongresi i PS ishte parashikuar që të mblidhej më 29 prill, por u shty për shkak të krizës politike. Por data 9 Maj është caktuar qëllimisht si dita kur do të mblidhet Kongresi, pasi përkon me ditën kur çelet zyrtarisht fushata elektorale për të gjitha partitë politike.

Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të çelin fushatën elektorale 30 ditë përpara ditës së mbajtjes së zgjedhjeve.

PS e ka nisur më herët angazhimin për 18 qershorin, por, duke nisur nga 9 Maji, fushata elektorale do të bëhet akoma më e egër dhe të gjithë kandidatët për deputetë, strukturat në bazë do të mobilizohen dhe do të intensifikojnë takimet me qytetarët në bazë, me qëllimin e vetëm: garantimin e një mandati tjetër qeverisës, PS-së.

Kongresi i PS do të zhvillohet në Pallatin e Kulturës në Durrës, ku do të marrin pjesë ministrat aktualë, kandidatët për deputetë dhe ata që nuk do të rikandidojnë, anëtarë të PS dhe krerët e degëve në rrethe. Do të mbahen fjalime nga ministrat, deputetët, nga kryeministri Edi Rama, për arritjet e qeverisë në këto katër vite.

Sipas burimeve, hapjen e Kongresit do ta bëjë vetë kryeministri Edi Rama, pasi është vetë ai që në këto katër vite udhëhoqi ekipin e tij për realizimin e reformave. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama do të kërkojë një mandat të dytë nga qytetarët, për të çuar përpara reformat.

Gjithashtu, kryeministri do të falënderojë për kontributin që kanë dhënë për PS, deputetët që nuk do të rikandidojnë në 18 qershor. Të pyetur nga gazeta “Sot”, deputetët e larguar kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kongres dhe se do të vijojnë të japin kontributin e tyre për fitoren e PS.