Protestuan kundër planeve të ndërtimit të HEC-it të Skavicës, policia gjobit 10 milionë lekë organizatorët

Drejtues të një shoqate lokale në Dibër u gjobitën me nga 5 milionë lekë secili për organizimin e një proteste kundër planeve të qeverisë për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës në luginën e Drinit të Zi dhe shkelur masat kundër COVID-19

402
Protesta e banorëve të Dibrës kundër ndërtimit të HEC Skavicës. Foto: Gazeta "Rruga e Arbërit"

Policia e Dibrës gjobiti me nga 5 milionë lekë, organizatorët e një proteste kundër planeve të qeverisë për ndërtimit e HEC-it të Skavicës në luginën e Drinit të Zi.

Në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër të shpërndarë për mediat, bëhet me dije se organizimi ishte i paligjshëm dhe në kundërshtim me masat kundër COVID-19 të miratuar nga qeveria. “Me datë 01.12.2020, në vendin e quajtur “Kodra e Bitrit”, njësia Administrative Fushë-Çidhën, Dibër, shtetasi A.H, President i Shoqatës Drini i Zi, dhe shtetasi N. D, Kryetar i Shoqatës Drini i Zi, kanë organizuar një grumbullim me rreth 40 persona,  për të protestuar kundër ndërtimit të Hec-Skavica”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Policia thotë se të dy organizatorët ishin gjobitur me “nga 5 milion lekë të reja” bazuar në aktin normativ të marsit të këtij viti që ndalon tubimet për shkak të situatës së pandemisë.

Banorët që jetojnë pranë pellgut të Drinit të Zi, protestuan të martën kundër planeve të qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, që sipas tyre do të përmbys të gjithë fushën e Dibrës dhe detyroi zhvendosjen e tyre.

Ali Hoxha, njëri nga të gjobiturit i tha BIRN me telefon se e ka marrë vesh në media njoftimin se ai dhe kryetari i shoqatës Drini i Zi janë gjobitur me nga pesë milionë lekë të reja. Ai shprehet se kanë pritur afro një orë e gjysëm në komisariatin e Policisë Peshkopi për t’u marrë në pyetje, pasi ishin thirrur, por më pas u është thënë se nuk kishte asnjë problem. “Na thonin jo është shefi në Bulqizë, jo në Maqellarë. S’po vinte njeri. Në këto kushte kemi telefonu prefektin e qarkut dhe i kemi shprehur shqetësimin. Pasi interesimit të prefektit ka ardhur edhe shefi i Policisë e na tha ikini se nuk ka asnjë problem”, thotë Hoxha, që është president nderi i shoqatës “Drini i Zi”.

Hoxha thotë se nuk sheh arsye për gjobitje dhe se ata nuk kishin bërë asnjë krim edhe pse nuk kishin marrë leje për protestën. “Ne në terren nuk kemi bërë asnjë veprim që cënon rendin dhe sigurinë. As kemi thy gjë e as nuk kemi sulmu njeri”, tha Hoxha, ndërsa shtoi se protesta ishte bërë në natyrë.

Hidrocentrali i Skavicës është projektuar fillimisht në vitet 70’, si pjesë e Kaskadës së Drinit, por ndryshe nga HEC-t e tjera ai nuk u ndërtua atëherë. Qeveritë i janë rikthyer disa herë planeve për ndërtimin e tij dhe disa projekte dhe studime janë arshivuar pas hasjes në vështirësi për sigurimin e financimeve.

Sëfundmi në qershor qeveria riprezantoi disa versione të mundshme për ndërtimin e një hidrocentrali në Skavicë. Sipas qeverisë hidrocentrali do të përmirësonte ndjeshëm prodhimin e energjisë në vend dhe do të ndihmonte në menaxhim më të mirë të kaskadës së Drinit.

Në tetor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania amerikane Bechtel firmosën një marrëveshje bashkëpunimi sipas të cilës do të përgatisin dhe miratojnë bashkërisht Planin e Veprimit për zbatimin e projektit të ndërtimit të hidrocentralit. Ende është e paqartë se cili prej varianteve të HEC do të zgjidhet dhe sa do jetë ndikimi i tij në zonë.