PROTESTA/ Smollik, banorët në protestë për rrugën: Kërcënohemi nga firma që ndërtoi HEC-in

721

Banorët e fshatit Smollik të njësisë administrative Zerqan, të rrethit Bulqizë prej dy ditësh janë hedhur në protestë, duke bllokuar punën në dy HEC-e të ndërtuara në fshatin e tyre, transmeton Bulqiza Tv.

Shkak i kësaj proteste, sipas banorëve është bërë mosmbajtja e premtimit nga ana e firmës tenderuese të ndërtimit të këtyre HEC-ve, “DITEKO sh.p.k”, e cila premtoi ndërtimin e rrugës automobilistike që lidh fshatin e tyre me rrugën nacionale.

Banorët shprehen se firma bashkë me ish – kryetarin e komunës Zerqan, Defrim Fiku premtoi ndërtimin e kësaj rruge, në këmbim të marrjes së tokave të tyre për ndërtimin e ketyre HEC-ve. Banorët shprehen se rruga jo vetëm që s’u ndërtua, por tani edhe kërconohen nga ana e firmës.

Ndërkohë banorët shprehen të vendosur në protestën e tyre, ku kanë bllokuar jo vetëm punën në dy HEC-et e ndertuara, por kanë bllokuar rrugën për transportin e makinerive të firmës, për të vijuar punën në ndërtimin e HEC-ve të tjera në këtë zonë.

Kush është firma “Diteko sh.p.k”?

Me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, që mban firmën e ish-kryeministrit Berisha, në qershor të 2012 është liçensuar shoqëria “Diteko” sh.p.k., në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga Hec-et në lumin:

“Zalli i Okshtunit ”: “Borovë” me fuqi 1,921 MW, “Zabzun” me fuqi 0,301  MW, “Sebisht” me fuqi 2,835 MW, “Prodan 1” me fuqi 0,38 MW, “Prodan 2” me fuqi 0801 MW,  “Okshtun ekologjik” me fuqi 0,45 MW, “Ternovë” me fuqi 0,921 MW, “Okshtun” me fuqi 10  MW, “Lubalesh 1” me fuqi 4,6 MW, “Lubalesh 2” me fuqi 5,1 MW dhe “Gjoricë” me fuqi 4,18  MW, për një periudhë 30-vjeçare.

Kompani në fjalë, në vitin 2015 ka aplikuar pranë ERE-s për modifikimin e liçensës së saj.

/bulqizaime.al/