Prokuroria kërkon dënime me kusht për dy nga të pandehurit e “Dosjes 184”

669
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Prokurori Urim Buci, lexoi të martën pretencën në procesin ndaj dy të akuzuarve për “shpërdorim detyre” me qëllim ndikimin e rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e Dibrës në vitin 2016 dhe kërkoi shpalljen fajtorë të tyre.

Buci, kërkoi dënimin me 3 vjet burg të konvertuar në 4 vjet shërbim prove për ish-shefin e komisariatit të policisë Peshkopi, Robert Aga. Gjithashtu kërkoi edhe përjashtimin e Agës nga mbajtja e posteve publike për 2 vjet.

Prokurori kërkoi një masë të ngjashme dënimi edhe për Hasan Hotin, ish-drejtues i njësisë administrative Lurë. Kërkesa e prokurorit është që Hoti të dënohet me 2 vjet burg të konvertuar në 3 vjet shërbim prove dhe 2 vjet përjashtim nga mbajtja e detyrave publike.

Seanca gjyqësore për dy të pandehurit e akuzuar për tjetërsimin e votave në zgjedhjet e pjesshme në Dibër në vitin 2016 u zhvillua në Gjykatën e Dibrës. Fillimisht, gjyqtarja Nertila Kape konstatoi mungesën e avokatëve Gentian Rumano dhe Ronald Islami, që duhej të përfaqësonin të pandehurin Robert Aga. Por me kërkesë të Agës, gjykata pranoi që ata të zëvendësoheshin nga avokati Petrit Ismaili, i cili përfaqësonte në gjykim të pandehurin Hasan Hoti.

Avokati mbrojtës Petrit Ismaili, kërkoi kohë për të paraqitur konkluzionet e mbrojtjes. Gjykata i dha kohë mbrojtjes dhe caktoi seancën e radhës më 31 janar.  Ismaili tha pas seancës se do të kërkonte pafajësi për të pandehurit.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë disa persona, përfshi të pandehurit e mësipërm, në manipulimin dhe blerjen e votës në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016 në favor të kandidatit të mbështetur nga Partia Socialiste, u zvarrit mes prokurorive të Dibrës, asaj të Krimeve të Rënda dhe SPAK për gati 5 vjet. Ajo  u dërgua në gjykatë në fund të vitit 2020 vetëm për 4 të pandehur dhe në 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim.

Dosja më pas u nda në dy pjesë, të pandehurit Drini Gjeci dhe Nuri Meda, kërkuan gjykim të shkurtuar. Ata u dënuan në dhjetor 2022 pas dy viteve zvarritje të procesit. Gjeci u dënua me 8 muaj burg të konvertuar në 120 orë punë publike, ndërsa Meda u dënua me 8 muaj burg të konvertuar në 16 muaj dënim me kusht.

Në dosjen e dytë, pretenca e të cilës u lexua këtë të martë, u shqyrtuan akuzat ndaj Robert Agës, ish-komisar i Policisë së Dibrës dhe Hasan Hotit ish-administrator i Lurës.