Prokurori i Dibrës Shkëlzen Cena shkarkohet nga KPK

657
Prokurori i Dibrës Shkëlzen Cena, pas vendimit të KPK. Foto:BIRN

Autor: Vladimir Karaj  BIRN

KPK njoftoi të premten se kishte vendosur të shkarkonte prokurorin Shkëlzen Cena, pasi e gjeti atë me probleme në të tre kriteret. Cena i cili ishte i pari prej kandidatëve për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) që do të ngrihet në prokurori, u cilësua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me probleme të pasurisë, profesionalizmit dhe integritetit.

Shkëlzen Cena, aktualisht prokuror në Dibër, kishte sipas KPK probleme të pasurisë, kryesisht mbi një kredi të marrë për një shtëpi, një kontratë noteriale për të cilën kishte qëndrime kontradiktore, një makinë për të cilën ishin nënshkruar dy kontrata dhe mungesë burimesh financiare për disa vite.

Sipas KPK Cena kishte probleme edhe sa i përket disa hetimeve që kishte ndjekur, kryesisht me të akuzuar për kontrabandë. Ndaj tij po ashtu pati një raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar sipas të cilit kishte dyshime se ai ishte përfshirë në korrupsion pasive dhe se kishte kontakte të papërshtatshme.

Treshja që hetoi Cenën u kryesua nga Lulzim Hamitaj , me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Firdes Shuli, ndërsa vëzhguese ndërkombëtare ishte Mia Roessingh.

Cena mohoi gjatë seancës dëgjimore akuzat ndaj tij, e cilësoi raportin e DSIK si “dezinformues dhe fyes” dhe tha se kishte përmbushur detyrën më së miri. Ai nuk reagoi pas shkarkimit.

Shkëlzen Cena e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror në Prokurorinë e Kukësit. Ai është transferuar nga Kukësi në Kurbin në vitin 2012, ndërkohë që prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.