Projekt turistik tek Divizioni në Bulqizë. Balluku: Shndërrohet një ish-zonë ushtarake në destinacion për vizitorët

142

Një projekt i ri turistik do të nisë së zbatuari në Bulqizë, me fokus transformimin e një ish-zone ushtarake në një destinacion kulturor dhe turistik. Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një konference të mbajtur për përmbylljen e sezonit turistik veror.

“Turizmi nuk ka të bëjë vetëm me detin por me çdo cep të Shqipërisë. Ndaj në një zonë turistike që nuk do t’i kishte shkuar në mend askujt, Bulqiza e minierave, historive të trishta dhe halleve të mëdha, ne do të prezantojmë një nga projektet më të mëdha dhe novatore të turizmit”, tha Balluku.

Sipas saj, ky projekt rivitalizon një zonë minerare dhe do të ndërtojë aty një aset tjetër turistik, Divizioni, i cili do të kthehet në një nga nuklat më të rëndësishme të turizmit.

“Do të ndërtojmë një muze që do të përfshijë zona argëtimi dhe do të kthehet në destinacion për gjithë banorët e kryeqytetet që mund të shkojnë atje vetëm për 30 minuta përmes tunelit të Murrizit”, tha Balluku.

Divizionet ishin pjesë e forcave të armatosura. Për momentin mbetet e paqartë nëse ky projekt do të realizohet si pronë publike apo do t’i jepet një kompanie private për zhvillim. Një çështje tjetër që shoqëron këtë projekt është edhe fakti se disa familje pretendojnë pronësinë mbi truallin ku ndodhet ish-Divizioni. Një pjesë e këtyre familjeve vazhdojnë të jetojnë në ish-ndërtesat ushtarake, duke e bërë situatën pronësore të paqartë dhe të diskutueshme.