Komisioni Evropian publikoi raportin e progresit për Shqipërinë për vitin 2023. Në raport është ngritur edhe çështja e projektit të ndërtimit të HEC Skavicës. Në kapitullin e energjisë, thuhet se projekti i Skavicës ka ngritur shqetësime tek komuniteti lokal, por edhe ambientalistët. “Organizatat e shoqërisë civile pohojnë se nuk ka pasur konsultime të duhura për këtë impiant në procesin e vendimmarrjes dhe asnjë informacion për planin e zhvendosjes”, thuhet në progres raporti i Komisionit Evropian.
Komisioni Evropian kërkon që një investim i tillë duhet të jetë plotësisht në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ACQUIS-n Evropian të Komunitetit Mjedisor dhe të Energjisë. “Veçanërisht në lidhje me konsultimet publike dhe cilësinë e vlerësimeve të ndikimit në mjedis dhe vlerësimet strategjike mjedisore. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të dhënë udhëzime për zhvillimin e hidrocentraleve dhe për të zbatuar legjislacionin mjedisor”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian vlerëson se projekti i hidrocentralit të Skavicës që është në përgatitje e sipër, pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm mjedisor dhe socio-ekonomik në zonë. Në kapitullin e mjedisit, vihen në dukje një sërë problematikash për të rishikuar dhe përmirësuar vlerësimet e ndikimit mjedisor. “Gjithashtu do të ndikojë në popullatat e rrëqebullit të Ballkanit që përdorin këtë korridor për të migruar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vlerësimi paraprak i ndikimit në mjedis për këtë projekt ka përfunduar, por përfaqësuesit e komuniteteve të prekura pohojnë se asnjë vendas nuk është ftuar të marrë pjesë në konsultime”, thuhet në raport.
Beteja kundër HEC-it Skavica
Banorët e Luginës së Drinit të Zi në Dibër, kundërshtojnë prej vitesh projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, me protesta dhe në rrugë ligjore. Arsyeja kryesore është se ky projekt do të fundoste mbi 30 fshatra e do të izolonte dhjetëra të tjerë.
Hidrocentrali i Skavicës është projektuar fillimisht në vitet 70’, si pjesë e Kaskadës së Drinit, por ndryshe nga HEC-t e tjera të kaskadës, ai nuk u ndërtua. Qeveritë majtas dhe djathtas i janë rikthyer disa herë planeve për ndërtimin e tij. Disa projekte dhe studime janë arshivuar pas hasjes në vështirësi për sigurimin e financimeve.
Në janar të 2021 Bashkimi Europian u tërhoq zyrtarisht nga financimi i Skavicës, ndonëse kishte dhënë 1.5 milionë eurot e para në formën e një granti nga Fondi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor. Vjeshtën e vitit 2020, qeveria Rama nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me amerikanët e kompanisë “Bechtel” për Skavicën. Në marrëveshje, “Bechtel” angazhohej të gjente financimin e një linje kredie e cila më pas do të paguhej nga KESH. Kompania firmosi një kontratë të miratuar me procedurë të veçantë nga Kuvendi, por pa garë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare.
Në shtator të këtij viti, Gjykata Kushtetuese, pranoi ankesën e bërë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit bashkë dhe organizatave mjedisore mbi ligjin e veçantë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Sipas organizatave mjedisore, pranimi i ankesës nga Gjykata Kushtetuese për gjykim në seancë publike plenare është një arritje e rëndësishme, pasi përbën një ndër çështjet e rralla të ankesave të pranuara nga Organizatat e Shoqërisë Civile.
Shoqata “Kundërshtimi ndaj digës së Skavicës”, pas publikimit të raport-progresit për Shqipërinë, deklaron se KESH, pretendon të jenë kryer më shumë se 950 takime dhe tryeza për këtë projekt. “Por kjo bie në kontrast me realitetin, ku banorët shprehen se nuk janë takuar, por kanë degjuar për takime që zhvillohen pas dyerve të mbyllura nëpër lokale të caktuara”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Në faqen zyrtare të KESH, “Skavica” cilësohet si një projekt që do ta kthejë Shqipërinë në një lider të rajonit sa i përket prodhimit të energjisë, ndërsa Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku e ka konsideruar “Një ëndërr e të gjithë Shqiptarëve”.