Zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë pa kryetar do të zhvillohen më 6 mars. Presidenti i Republikës ka ftuar partitë politike në konsultime dhe i pari në zyrën e Ilir Metës mbërriti kreu i deputetëve socialistë, Taulant Balla.
“Jemi ftuar nga presidenti sot për një takim konsultativ lidhur me vakancat prej shumë kohësh në shumë bashki të vendit. I thashë Presidentit se ky institucion duhet ta kishte ushtruar këtë detyrim ligjor që në njoftimin më të parë për krijimin e vakancave duke filluar nga më e para e krijuar në gusht të vitit 2019 në bashkinë e Shkodrës. Respekti ndaj kushtetutës është detyrim nga të gjitha institucionet. Zgjedhjet duhet të ishin zhvilluar brenda afatit 45-ditor dhe për ne nuk ka asnjë datë. Data është e përcaktuar nga ligjit dhe kushtetuta. Nga Presidenti jemi informuar edhe me institucionet përgjegjëse për zhvillim. Presidenti mendon që zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën 6 Mars”, tha Balla.
Asnjë komunikim për mediat nuk ka pasur nga përfaqësuesit e opozitës.
Më herët, kreu i shtetit, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kryeministrit Rama informcion zyrtar për të konfirmuar procedurialisht 6 bashkitë pa kryetar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vuri në dijeni Metën për tri bashki, largimi i kryetarëve të të cilave lidhej me këtë institucion, si Shkodra, Vora dhe Dibra, ndërsa për Durrësin, Lushnjën dhe Rrogozhinën, vakancat lidhen drejtpërsëdrejti me kryeministrinë.
Presidenti Ilir Meta, njoftoi të premten e 14 janarit se kishte nisur procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme të pjesshme për disa bashki të vendit. Ai priti deri në zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e zgjedhjeve të mbajtura në qershor të vitit 2019, të cilat u bojkotuan nga opozita dhe ishin shfuqizuar me dekret të presidentit.
Bashkitë pa kryetar:
- Shkodër, pasi Valdrin Pjetrin e kapi dekriminalizimi
- Vorë, pasi Agim Kajmakun e dogji dekriminalizimi
- Durrës, sepse Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit
- Rrogozhinë, sepse Haxhi Memolla ndërroi jetë
- Dibër, sepse Dionis Ymeri dha dorëheqjen të kandidonte për deputet
- Lushnjë, sepse Fatos Tushe u shkarkua nga Rama pas arrestimit për korrupsion