Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi publik u uron Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, kudo që ndodhen:
“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë!
Në këtë ditë të shenjtë, të Pashkëve kur të gjithë besimtarët e krishterë urojnë njëri-tjetrin dhe kur besimi i tyre i palëkundur te Biri i Perëndisë ripërtëritet e shumëfishohet, kam privilegjin e kënaqësinë që në cilësinë e Kreut të Shtetit t’ju uroj të gjithëve nga zemra: Gëzuar dhe përshumëvjet! Sa më shumë, mbarësi, paqe dhe begati e lumturi për ju dhe në gjirin e familjeve tuaja!
Dëshiroj gjithashtu që në këtë ditë të bekuar të gjithë së bashku të rigjejmë brenda vetes virtytet më të sinqerta jo vetëm te besimi në Zot, por edhe te shoqi-shoqi, si vëllezër e motra, si bij e bija të denja shqiptarësh, që ngahera kanë aftësitë, forcën dhe kurajën për të jetuar e punuar në harmoni e mirëkuptim për begatinë dhe të ardhmen e lumtur të vendit e të popullit tonë, sidomos atë të brezave të rinj e atyre që do të vijnë më pas!
Festa e mrekullueshme dhe frymëzuese e Pashkëve, kjo ditë e ripërtëritjes së besimit e shpresës për një të nesërme më të mirë, na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë e veta, duke u përpjekur parreshtur që krahas harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore e proverbiale shqiptare, t’i vërtetojmë botës dhe sidomos familjes evropiane, se vlerat e vyera të kombit tonë të lashtë janë të palëkundura e të pashtershme.
Gëzuar dhe përshumëvjet Festën e shenjtë të Pashkëve!” – shkruhet në mesazhin e Presidentit Nishani.