Policia u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që kalojnë në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë të vendosin zinxhirët dhe gomat dimërore, në të kundërt nuk do të lejohen të kalojnë.
Për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore si edhe nga mospërdorimit i zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve në këtë aks rrugor është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, bëri me dije policia.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë marrë masa, në bashkëpunim me firmën që ndërton rrugën, dhe pas ndërhyrjes së borëpastrueseve qarkullimi i automjeteve vijon, por me ngadalë.
“Nisur nga situata e krijuar, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë, as në gjitha ato akse rrugore në të cilat ka prezencë të dëborës, pa vendosur zinxhirët dhe gomat dimërore”, njofton policia.