Prokuroria e Dibrës ka nisur të enjten procedim penal ndaj dy personave që u shoqëruan nga policia pasi në makinën me të cilën udhëtonin u gjetën 500 mijë lekë, fletëpalosje dhe lista me emra votuesish. Makina u bllokua nga mbështetës të Partisë Demokratike me dyshimin se ishin duke shpërndarë para për vota dhe më pas u ekzaminua nga prokuroria dhe policia në vendngjarje, ndërsa dhjetëra mbështetës të PD qëndronin rreth saj.
Prokurorja Xhoana Mehmetaj i tha BIRN se ende ishin duke kryer procedurat hetimore dhe se po verifikoheshin materialet e gjetura në makinë, por konfirmoi sekuestrimin e 500 mijë lekëve, listave me emra dhe fletëpalosjeve. Ajo tha se personat nuk ishin marrë ende në pyetje.
Makina, në të cilën sipas Partisë Demokratike udhëtonte drejtori Juridik i Bashkisë Bulqizë, Denis Xholi dhe një i afërm i tij i identifikuar si Adnan Xholi, u bllokua nga simpatizantë të PD-së në afërsi të Maqellarës.
Kandidati për deputet i PS-së, Melaim Damzi nuk ishte i arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dy makina besohet se i kanë zënë rrugën mjetit dhe në pak minuta në zonë u mblodhën dhjetëra mbështetës të PD, përfshirë dy kandidatët e PD-së për deputetë në Dibër Xhelal Mziu dhe Luan Haka. Mbështetësit e PD-së rrethuan mjetin në të cilin dyshonin se kishte para me të cilat do bliheshin votat, ndërsa pamjet u transmetuan live në faqen në Facebook të Hakës.
Pas njoftimit në vendngjarje ka mbërritur policia, por përfaqësuesit e Partisë Demokratike nuk kanë besuar se hetimet do të ishin transparente. Në këtë kohë policia ka kërkuar praninë e prokurorit të gatshëm. Mehmetaj tha se ajo shkoi në vendin e ngjarjes dhe kreu veprimet e para hetimore në prani të kandidatëve të PD-së që ndiqnin nga afër për të garantuar transparencë.
“Gjatë kontrollit u gjetën 500 mijë lekë, broshura të kandidatit për deputet Melaim Damzi dhe një listë me emra, të cilat do të verifikohen”, tha ajo.
Makina ka qëndruar e bllokuar për afro një orë, deri në mbërritjen e policisë dhe prokurorit, që më pas ka bërë shoqërimin e personave që ndodheshin brenda saj. Kandidati i PD-së në Dibër, Xhelal Mziu tha pas bllokimit se në makinë kishte “kartëmonedha të papërdorura deri në këto momente”.
Ai pretendoi se në makinë ishin një numër të konsiderueshëm fletësh, afro 12 të mbushura me emrat e kryefamiljarëve të familjeve mbështetëse të PD-së, të cilëve sipas tij “do t’u jepeshin lekët për blerjen e votës”.
Pas gjetjes së parave, mbështetësit e PD shpërthyen në brohorima festive, siç duket edhe në videot e transmetuara live në Facebook. Prokurorja tha se dy prej mbështetëve të PD-së do të procedoheshin penalisht për bllokimin e rrugës.
Ky është incidenti i katërt i ngjashëm në vend që prej fillimit të fushatës zgjedhore. Më herët PD në Berat bllokoi një fugon me ushqime. Në Vaqarr në Tiranë u tha po ashtu se u bllokuan ushqime, edhe pse personat e bllokuar pretenduan se ishin për një iftar të organizuar në fshat. Ngjarja më e rëndë ishte ajo e të martës në Elbasan, ku bllokimi i një makine nga mbështetës të PD – të prezantuar si Struktura e Mbrojtjes së Votës, përfundoi me shkëmbim zjarri.
Një person humbi jetën dhe katër të tjerë u plagosën në këtë përplasje. Në këtë rast policia njoftoi se nuk gjeti materiale qe kishin lidhje me zgjedhjet, por Partia Demokratike pretendoi se kishte video që dëshmon të kundërtën.