Pas realizimit të operacionit policor të koduar “Eklipsi” policia gjeti një sasi dozash me kokainë dhe 500 doza cannabis sativa për shpërndarje. Gjithashtu u sekuestruan dy automjetet me të cilat këta shtetas qarkullonin dhe shpërndanin lëndën narkotike, si dhe 8 aparate celular.
“Pas një hetimi të mirëfilltë tremujor, bazuar në provat e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “Eklipsi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: D. K., 21 vjeç, E. N., 24 vjeç, E. Sh., 40 vjeç dhe K. K., 36 vjeç, të gjithë banues në Peshkopi.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.
Policia njoftoi se po vijon puna për kapjen e shtetasit T.T, 23 vjeç, shpallur në kërkim policor.
Personat e arrestuar në një lokal në qytetin e Peshkopisë, shpërndanin doza me lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, në zona të ndryshme të qarkut Dibër.
Ky operacion i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.