Policia e Dibrës njoftoi të martën se kishte filluar procedim penal ndaj drejtuesit teknik dhe brigadierit të kompanisë “Canameti Sh.P.K” në minierën e Bulqizës, pas një aksidenti në të cilin humbi jetën një punëtor.
Policia njoftoi se këta persona kishin për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të frontit të punës dhe kanë neglizhuar detyrën. “Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. H., 50 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë Drejtues teknik i një subjekti minerar, B. T., 44 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier. Arrestimi i tyre u bë pasi, nuk kanë marrë masa për zbatimin e sigurisë e të mbrojtjes së jetës e të shëndetit të punonjësve, si dhe nuk kanë ushtruar kontrolle për të siguruar vendin e punës, ku si pasojë në galerinë nr. 16, u aksidentua me pasojë vdekjen shtetasi K. L., 52 vjeç, që mbante detyrën e zjarrmëtarit.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.
Të arrestuarit pritet të dalin ditën e enjte para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër për masën e sigurisë.
Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi se kjo situtë do të vazhdojë nëse nuk do të ketë reagim.
“Një tjetër minator i vrarë në galeritë e Bulqizës. Institucionet shtetërore bëjnë sehir si gjithmonë, madje as emrin nuk ua përmendin punëtorëve të vrarë. Nëse nuk organizohemi dhe reagojmë, këtë fat të zi mund të ketë secili prej nesh. Shprehim ngushëllimet e sinqerta për familjarët e minatorit Kujtim Lila!”, deklaron SMBB.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por burime të Bulqizaime.al thonë se shkak i ngjarjes ishte shpërthimi i vonuar i eksplozivit të përdorur në galeri. Viktima me banim në Klos punonte si zjarrmëtar dhe se ishte aksidentuar gjatë kontrollit të eksplozivit të pa shpërthyer.
Ky është aksidenti i katërt me pasojë vdekjen në miniera gjatë këtij viti, ku aksidenti i fundit me pasojë vdekjen u shënua në Bulqizë në muajin korrik.