AUTOR: Abdurahim Ashiku
Është koha edhe për një VETING mbi natyrën, për të nxjerrë para ligjit të gjithë ata që shkatërruan pyjet, burimet e ujit, kanalet kulluese e ujitëse, mbrojtjen e tokës dhe të pasurisë e jetës së njerëzve, natyrën e bukur shqiptare…
Pas një zhurme shurdhuese mediatike ku njeri i binte thumbit e tjetri patkoit, më në fund, me një fotografi veshur me rrobat mbrojtëse të raftingut, kryeministri Rama doli publikisht me një deklaratë në mbështetje të vlerave të kanioneve të Osumit, mos shndërrimin e tyre në hidrocentrale interesash të dyshimta e korrupsioni.
“Kanionet e Skraparit nuk preken” – deklaroi Rama.
Duke kërkuar…
“Ndjesë kujtdo që me të drejtë u shqetësua apo pikëllua nga lajmi i keq i prekjes së Kanioneve Magjike dhe mezi pres të rikthehem atje, në duart djemve e vajzave të mrekullueshme të Federatës Shqiptare të Raftingut”
Për të vazhduar me një “autokritikë bolshevike”…
“Asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur pa dashje mund të jenë duke gabuar.”
E përshëndes për sa tha por nuk e përshëndes për sa ka bërë dhe ende bën.
Ka edhe një kanion mbi të cilin është bërë “rrugë HEC-esh”, një kanion ku është shkruar me djersë e gjak historia e një treve që u dogj, u vra, u pre, u shua… 550 vjet më parë.
Fjalën e kam për Kanionin e Setës në Dibër ku ndërtues dhe popull po përballen me drejtësinë, ku të “plotfuqishmit”, disa ditë më parë, arritën të shtyjnë gjyqin, për të bërë de fakte punimet.
Kryeministri do ta ftoja të marrë makinën e tij dhe veshur me rrobat e alpinistit dhe të raftingut, të kalojë rrugës teje të ngushtë anës kanalit të Çidhnës, atij kanali ku në vitin 1967 u shkrua heroizmi i pashoq i dibranëve në betejën për marrjen e ujërave të burimeve të Setës dhe përcjelljen e tyre, nga njëra anë deri në Reç e nga ana tjetër në Sinë, Fushë Çidhën, Kastriot e Vakuf.
T’i tregojë Zahos, “përrallën” se si u thyen dhe u çanë Gjalicat e Dibrës, se si Gani Tuçepi e shënoi trasenë nga do të kalonte kanali me “ krisje e plumb pushke”, për ta ulur në realitetin e një heroizmi të pashoq…
Pasi të përshkojë kanalin deri tek burimi, të veshë rrobat speciale të raftingut dhe të marrë teposhtën e Setës, mbi ujin e rrëmbyeshëm dhe midis atyre maleve që “çilen e mbyllen” në një galeri mahnitëse të natyrës…
Do ta ndjejë veten më bukur se sa nëpër kanionet e Osumit…
Mbas këtij udhëtimi me siguri do të gjej çelësin e një turizmi që do t’i japë jetë e gjallëri: Çidhnës, Sinës, Gurë-Lurës… e më tej Liqeneve “sy qielli” që i qëndrojnë si kurorë pamjes mahnitëse.
Ma do mendja që kryeministri Rama nuk do ta bëjë këtë udhëtim.
Nuk e bëri kur u ul me gjithë qeverinë në Dibër…
Nuk di, mbase gaboj, por busulla e qeverisjes së Edi Ramës tregon më shumë Jugun e Shqipërisë.
I është këput akrepi i Veriut.
Do të bëj edhe unë “autokritikë bolshevike” po qe se Rama i bie me këmbë Gjalicave të Lurës, zbret me kanoe ujërave të Setës…
Është koha edhe për një VETING mbi natyrën, për të nxjerrë para ligjit të gjithë ata që shkatërruan pyjet, burimet e ujit, kanalet kulluese e ujitëse, mbrojtjen e tokës dhe të pasurisë e jetës së njerëzve, natyrën e bukur shqiptare…