Plagosja e minatorit në Bulqizë, procedohet penalisht tekniku i Albchrome

2493
Miniera e Bulqizës. Foto: Albchrome

Policia e Dibrës njoftoi se kishte filluar procedim penal ndaj teknikut të kompanisë Albchrome në minierën e Bulqizës, pas një aksidenti të ndodhur ditën e premte ku kishte mbetur i plagosur një punëtor.

Policia njoftoi se personi i proceduar penalisht kishin për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të galerisë dhe ka neglizhuar punën. “N. Gj., 42 vjeç, banues në Bulqizë, punonjës pranë një firme minerare në Bulqizë. Procedimi penal ndaj tij filloi pasi ky shtetas nuk ka bërë kontrollin teknik të frontit të punës sipas rregullores, dhe për pasojë gjatë punës në galeri është shembur një copë minerali dhe ka mbetur i lënduar shtetasi H. R., 32 vjeç,(punëtor), i cili ndodhet për mjekim në spital, jashtë rezikut për jetën.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Kompania AlbChrome – pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës, në një deklaratë për mediat pas aksidentit të djeshëm, me të dhëna paraprake, bënte me dije se minatori kishte krisje të një gishti të dorës dhe se për mungesë energjie në Spitalin e Bulqizës, ishte nisur për mjekim në një spital tjetër.

Një burim nga spitali i Bulqizës i tha Bulqizaime.al se i plagosuri kishte dëmtimin e tendinave të gishtave të dorës dhe gërvishtje në këmbë. Minatori i plagosur është dërguar nga spitali i Bulqizës drejt spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi se rritja e normës së punës është burimi kryesor i dëmtimeve në miniera.

“Pas shpërthimit në galeritë e Martaneshit tre ditë më parë, një tjetër minator aksidentohet brenda galerive të kompanisë Albchrome. Hysen Rrahmani, 32 vjeç, sipas dëshmive të shokëve të tij në punë ka pësuar dëmtime në pjesën e dorës dhe të këmbës dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.” deklaron SMBB.

Ky është aksidenti i shtatë i raportuar në pesë muajt e parë të këtij viti në galeritë e Albchrome, ndërkohë që vetëm tre aksidente ishin raportuar gjatë gjithë vitit 2020.

Pak ditë më parë në zonën krom-mbajtëse të Martaneshit, mbetën të asfiksuar tre minatorë, pasi një punëtor po saldonte me gjenerator brenda galerisë.