Plagosja e minatorit në Bulqizë, policia procedon penalisht teknikun

1871
Miniera e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Policia e Dibrës njoftoi se kishte filluar procedim penal ndaj tekniku të një subjekti minerar në zonën e Martaneshit, pas një aksidenti në të cilin mbeti i plagosur një minator. Policia njoftoi se personi i proceduar penalisht, i identifikuar si SH. B, kishte për detyrë kontrollin e gjendjes teknike të frontit të punës dhe ka neglizhuar punën – por pa dhënë detaje të tjera për rrethanat e ngjarjes dhe as për kompaninë që punësonte minatorin.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori për shtetasin SH. B., 54 vjeç, banues në Tiranë, drejtues teknik në një subjekt minerar, pasi dyshohet se nuk ka respektuar rregullat e mbrojtjes në punë dhe për pasojë është aksidentuar gjatë punës, shtetasi M. B., 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Në një reagim në Facebook, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës bëri thirrje për organizim dhe bashkim të minatorëve për të fituar të drejtat dhe për të mbrojtur jetët: “Gjithë gjëmat e Bulqizës, Martaneshit, Batrës dhe zonave të tjera minerare, kanë kaluar nën hundën e një shteti që gjithmonë ka mbyllur sytë qëllimisht. Miliardat e një grushti njerëzish kanë patur vlerë më shumë se jetët e qindra minatorëve të vrarë dhe mijëra të tjerëve që rrezikojnë jetën përditë. Te shteti, institucionet e tij të kapur e të korruptuar që na tallin e poshtërojnë prej dekadash, nuk mund të mbajmë më shpresë.”, thuhet në reagim.

Deputetja e Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Dhurata Çupi në një reagim në profilin e saj në Facebook, i bën thirrje Prokurorisë të veprojë për të garantuar drejtësi dhe ndëshkim aty ku shkelen rregullat teknike: “Vetëm vitin e fundit kanë ndodhur 28 aksidente nga të cilët 6 kanë vdekur. Të dhëna trishtuese nga minierat e kromit në zonë e Bulqizës ku minatorët humbasin jetën apo aksidentohen rënde janë prezente. Familjet, fëmijët e gratë, rrojnë çdo ditë mes ankthit të humbjes së jetës dhe lutjeve për tu kthyer edhe sot në gjirin e tyre, burrat e shtëpisë. Kur do mbarojë kjo situatë? Kush mban përgjegjësi? Insitucionet përgjegjëse duhet të kontrollojnë kushtet e punës dhe sigurinë e jetës së minatorëve.”, deklaron Çupi.

Pak ditë më parë një minator 52-vjeçar humbi jetën, pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në një galeri kromi, në minierën e Bulqizës.

Galeritë e Bulqizës janë një prej zonave me më shumë aksidente të rënda në punë në Shqipëri, sipas të dhënave nga Inspektorati i Punës, gjatë vitit 2021 në miniera-karriera u aksidentuan 28 persona, ndërsa 6 prej të cilëve humbën jetën. Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera i’u shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020.