Plagoset rëndë polici nga shpërthimi i gomës së kamionit në Dibër

407
Vendi i ngjarjes ku shpërthehu goma e kamionit. Foto: M. Jangulli

Shpërthimi i gomës së kamionit, për pak sa nuk i ka marrë jetën efektivit të policisë rrugore në Dibër. Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të së shtunës, në vendin e quajtur ‘Qenok’, aksi rrugor Maqellarë-Peshkopi.

Siç raportohet, mjeti i tonazhit të rëndë, ka pësuar defekt duke bllokuar rrugën. Patrulla e policisë rrugore ka shkuar në vendin e ngjarjes me qëllim menaxhimin dhe hapjen e trafikut për automjetet, ku ka plasur njëra nga gomat e kamionit dhe është lënduar rëndë punonjësi i policisë rrugore, Tonin Tosku.

Ky i fundit ka marrë ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Dibrës, por për mjekim më të specializuar është dërguar me helikopter në Tiranë. Për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, mësohet se është shoqëruar në komisariatin e Policisë Dibër, drejtuesi i automjetit të tonazhit të rëndë i cili po transportonte pllaka për shtrim trotuari.

Ky është rasti i dytë në 24 orë, që nga shpërthimi i gomave të kamionëve ka persona të lënduar. Më i rëndi në Lezhë, ku punonjësi i një gomisterie humbi jetën pas shpërthimit të një gome kamioni.