Pjesëmarrja në fushatë – MAS kallëzon 6 përgjegjës të Zyrave Arsimore, ndër ta edhe e Bulqizës

409

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për 10 drejtues arsimorë, me arsyetimin e përfshirjes në fushatë elektorale.

Ministrja teknike e Arsimi Mirela Karabina kallëzoi gjashtë përgjegjës zyre në drejtoritë rajonale dhe 4 drejtorë arsimi.

Njoftimi i MAS

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, po vijon monitorimet në të gjithë vendin pranë drejtorive rajonale arsimore dhe zyrave arsimore si dhe në institucionet e tjera të varësisë.

Në zbatim të ndryshimeve të fundit të Kodit Penal dhe në masat e parashikua nga VKM nr. 473, nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, është kryer sot më datë 20.06.2017, përcjellja e informacioneve të verifikuara në terren pranë organit të Prokurorisë, për Përgjegjësen e Zyrës Arsimore, Kavajë, znj. Sonila Peza, mbi dyshimin e arsyeshëm të përfshirjes në fushatë zgjedhore.

Gjithashtu pranë Komisionit Disiplinor për verifikimin e shkeljeve ligjore po përcillen  shkeljet e përsëritura dhe të bëra publike më parë, të cilat janë regjistruar dhe verifikuar për fillimin e procedimit disiplinor ndaj drejtuesve apo përfaqësuesve të institucioneve arsimore, si më poshtë vijon:

  1. Përgjegjëses së Zyrës Arsimore Kavajë
  2. Përgjegjëse e Zyrës Arsimore Bulqizë
  3. Përgjegjës i Zyrës Arsimore Has
  4. Drejtor i Drejtorisë Rajonale arsimore Lezhë
  5. Përgjegjëse e Zyrës Arsimore Kurbin
  6. Përgjegjës i Zyrës Arsimore Gramsh
  7. Drejtor Shkollës Iballë, Fushë Arrëz
  8. Drejtor Shkollës Gorre, Lushnje
  9. Drejtor Shkolle, Nepravishtë, Gjirokastër
  10. Drejtor i Shkollës së Mesme, Gramsh

Ministria e Arsimit dhe Sportit kërkon nga të gjithë punonjësit e administratës arsimore të vijojnë të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat dhe veprimtaritë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.