Përplasjet në KZAZ-të Mat e Klos, 9 të arrestuar, dhjetëra nën hetim

922
Burrel, protestuesit hynë në KZAZ dhe shkatërrojnë materialet zgjedhore. Foto: Mat TV

Një ditë pas përplasjeve të ashpra në KZAZ-të e Matit dhe Klosit, policia ka arrestuar 9 persona dhe ka proceduar me dhjetëra të tjerë. Procesi i grumbullimit të materialeve zgjedhore u shoqërua me përplasje mes forcave të rendit dhe protestuesve, pasi këta të fundit kërkonin lirimin e ambienteve të KZAZ, duke iu referuar dekretit të Presidentit Ilir Meta për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Tensionet e forta bënë që policia të përdorë gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Sipas njoftimit shpërndarë për mediat, DVP Dibër, raporton se ka arrestuar 9 persona dhe ka  proceduar 33 prej tyre, si dhe ka shpallur në kërkim 12 të tjerë.

Njoftimi i plotë:

Sulmet ndaj KZAZ, 33 të proceduar, ndër ta 9 të arrestuar. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, më datë 19.06.2019, ku persona të ndryshëm kanë ushtruar dhunë ndaj forcave të rendit dhe sigurisë të cilët mbanin në ruajtje KZAZ, dhe më pas kanë dëmtuar materialet zgjedhore të KZAZ Nr. 16, (që ndodhej në Pallatin e Sportit Ferit Hysa), Bashkia Mat, dhe KZAZ nr 17, (që ndodhej tek Bibloteka e qytetit), Bashkia Klos, Specialistët për Hetimin e Krimit në D.V.P.Dibër në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas veprimeve hetimore, identifikimin e personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia, kanë arrestuar në flagrancë 9 shtetas:

E.D, 21 vjeç, banues në Burrel
Xh.Gj, 55 vjeç, banues në Burrel
M.D, 53 vjeç, banues në Burrel (Polic i Bashkisë Burrel).
E.T, 49 vjeç, banues në Klos

I.Ç, 44 vjeç , banues në Klos (Administrator i njësisë administarative Suç, Klos)
M.Gj, 62 vjeç, banues në Klos
M.L, 38 vjeç, banues në Klos( Përgjegjës i zyrës së ndihmës eknomike në Klos)
R.D, 62 vjeç, banues në Klos (punonjës në mirmbajtjen e rrugës, Klos).
H.K, 46 vjeç, lindur në Klos e banues në Britani e Madhe.

Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 shtetas, konkretisht:
N.D, B.Ç, D.V, S.K, B.C, Sh.XH, A.B, R.K, Sh.D, J.F, K.P, E.P.
Si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas të tjerë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishje e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.