Përplasja PS-LSI në Bulqizë, rrëzohet projektbuxheti i bashkisë

490

Projekbuxheti afatmesëm i propozuar nga kryebashkiaku Milaim Damzi u rrëzua, ndërsa ky i fundit nuk ka më shumicën në këshillin bashkiak pas prishjes së koalicionit PS-LSI. Socialistët akuzojnë Damzin për punësime e shkarkime partiake dhe lista selektive dëmshpërblimesh.

Këshilli Bashkiak i Bulqizës votoi pas dy muajsh vonesash vendimin për shpërndarjen e ndihmës ekonomike, por i rrëzoi bashkisë projekt-buxhetin afatmesëm dhe po ashtu rrëzoi edhe një vendim dëmshpërblimi të emergjencave civile, duke akuzuar administratën dhe kryetarin Melaim Damzi se kishin përpiluar lista dëmesh të motivuara politikisht dhe kishin punësuar personel fiktiv.

Kryebashkiaku Damzi që drejton bashkinë e Bulqizës i zgjedhur si pjesë e koalicionit mes PS dhe LSI, ka humbur shumicën në këshillin bashkiak pas përplasjeve me socialistët gjatë fushatës së fundit elektorale, kur ky kualicion u prish.

Pas përplasjeve para zgjedhjeve kreu i bashkisë së Bulqizës, Melaim Damzi, akuzohet nga ish-aleatët e tij socialistë se ka shkarkuar nga puna disa punonjës të njësive të ndryshme  administrative, përfshirë edhe administratorët e njësive Gjoricë, Fushë-Bulqizë, Martanesh, e të tjera për shkak se ata i përkasin Partisë Socialiste. Kjo ka sjellë që këshilli bashgkiak që kontrollohet nga socialistët të mos mbështesë disa vendime të bashkisë.

Kështu për dy muaj me rradhë këshilltarët socialistë dhe ata të opozitës refuzuan të votonin vendimin për ndihmën ekonomike sepse pretendojnë që listat ishin politike. Këshilltarët ngritën të njëjtin shqetësim edhe për listën e fundit, por vendosën të votonin, siç thanë, për të mos lënë pa ndihmë familjet në nevojë.

Ndërkohë Munir Sinani kryetar i grupit të këshilltarëve socialistë tha se megjithë kërkesat e përsëritura të këshilltarëve drejtoria e personelit nuk u kishte vënë atyre në dispozicion listën emërore të të punësuarve.  “Dyshojmë se mosbërja transparente e listës emërore të administratës së bashkisë, bëhet për të mbuluar abuzimet me këto emërime, pasi ka të punësuar që aktuallisht kanë emigruar jasht vendit”, tha ai.

Akuza të ngjashme u bënë edhe nga Myfit Duriçi po ashtu këshilltarë i partisë socialiste. Ata përmendën rastin e drejtorit të shërbimit pyjor, që banon në Tiranë dhe gjatë situatës së zjarreve sipas tyre nuk ishte asnjë ditë të vetme në Bulqizë.

Në përgjigje të këtyre akuzave kryebashkiaku Damzi, i cili u shpreh se bërja prezente e listës së administratës, nuk është detyrim ligjor dhe se këshilli ka të drejtë të miratojë vetëm numrin total të punonjësve dhe jo emrat e tyre pasi kjo është kompetencë e kryetarit.

Përplasje po ashtu pati edhe për projektbuxhetin. Këshilltarët nuk e miratuan projektbuxhetin  afatmesëm 2018-2020, pasi sipas tyre aty ishin parashikuar që të rriteshin taksat për qytetarët në masën 143 për qind.  Këtu këshilli votoi unanimisht dhe vendosi ta rikthejë projektbuxhetin në bashki për plotësime e ndryshime.

Po kështu debate të ashpra mes këshilltarëve dhe bashkisë, u zhvilluan kur drejtoria e emergjencave civile, paraqiti projekt vendimin për ndihma financiare për familjet e prekura nga zjarri.  Këshilltarët thanë se në listë mungonin shtëpi të djegura, ndërsa ishin paraqitur raste ku kërkohej dëmshpërblim për një derë të djegur.

Këshilltarët e PS shprehën dyshime se një diferencim i tillë ka lidhje vetëm me përkatësinë partiake të këtyre familjeve.  Këshilli vendosi të ngrejë ndërkohë një komision për verifikimin e dosjeve të emergjencave civile që janë trajtuar me ndihmë financiare, për të parë nëse në to kishte abuzime.

Burimi: reporter.al – Hysen Likdisha