EDITORIAL/
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, në një postim që ka bërë në Twitter ka bërë me dije se së shpejti do të dorëzoj në Kuvend projektligjin për statusin e minatorit.
Përkrah disa prej përfaqësuesëve të sindikatave të punëtorëve, Spahiu deklaroi se po punohet me ta që për pak ditë ky projektligj të jetë dorëzuar në Kuvend.
“Takimet finale me sindikatat për draftin e Statusit të Minatorit! Shpejtë depozitoj kërkesën pranë Kuvendit!!” – shkruante Spahiu në profilin e tij në twitter.
Por ajo që të bën më shumë përshtypje është se kjo lëvizje e deputetit dibran vjen pas katër vitesh heshtje për statusin e minatorit. Ky i fundit në Kuvendin e Shqipërisë apo në Komisionin e Ekonomisë ku ai bën pjesë, përgjatë kësaj legjislature si deputet është dalluar për shumë ide dhe propozime, por shumë rrallë në interes të zonës së Bulqizës.
Pikërisht, pas katër vitesh dhe me afrimin e zgjedhjeve, Spahiu kujtohet se ekziston statusi i minatorit, shumë e premtuar nga koalicioni i majtë, por që deri më sot nuk është realizuar.
Kjo të bën të kuptosh se është një lëvizje që vjen në kudër të zgjedhjeve, për zhurmë mediatike. Për të cilën, Spahiu është shumë i arrirë, siç mund të përmendim këtu show-n e përjashtimit nga grupi kuvendor i LSI-së dhe rifutjen e tij.
Deri më sot, koalicioni i majtë nuk ka bërë asgjë për të drejtat e punëtorëve dhe minatorëve të minierës së Bulqizës. Statusi i minatorit nuk u realizua, nga çka ka ndodhur me atë të naftëtarit edhe pse si punë ka shkallën më të lartë të vështirësisë. Kjo edhe për paaftësi të deputetëve dibranë për të realizuar interesat tërsisht legjitime të minatorëve dhe punëtorëve të Bulqizës.
Që prej vitit 1956 është arritur në përfundimin se minatorët do të duhej të dilnin në pension në moshën 50 vjeçare, sepse ndryshe nuk do të mund ta gëzonin atë në moshë më të madhe. Mosha e daljes në pension të punëtorëve dhe minatorëve të Minierës së Bulqizës sot është 55 vjeç.
Për këtë, bulqizaime.al ju drejtua edhe deputetit të djathtë për Dibrën, Roland Keta. Ky i fundit deklaroi se do të mbështeste çdo propozim për statusin e minatorit. Por që kjo lëvizje e deputetit Spahiu vinte për shkak të afrimit të datës së zgjedhjeve. Sipas deputetit Keta, ky i fundit në katër vite nuk e ka prekur asnjëherë çështjen e statusit të minatorit në Kuvendin e Shqipërisë.
Por për finalizimin e statusit të minatorit kërkohet që të ketë edhe një koordinim ndërinstitucional dhe bashkëpunimin e grupeve të interesit, në mënyrë që të arrihet në kompromis dhe që statusi i minatorit të jetë një ligj në përputhje me ligjet e vendit, Kushtetutën, por edhe me standardet e Bashkimit Evropian.
Së pari ajo kërkon që dy ministritë, ajo e Industrisë dhe Energjisë dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të arrijnë një marrëveshje mes tyre.
Por deri në datën e zgjedhjeve do të dëgjojmë për statusin e minatorit dhe kushte më të mira pune, për punëtorët dhe minatorët e Minierës së Bulqizës që sot janë në të njëjtat kushte si në mesjetë.
/bulqizaime.al/