Ashtu siç ishte paralajmëruar nga Kryeministri Rama një javë më parë, Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë vendimin për indeksimin e pensioneve dhe rritjen e pagës minimale në vend. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se pensionet do të indeksohen në nivelin 6%, vendim që do të hyjë në fuqi për muajin tetor.
Ibrahimaj deklaroi: “Kemi marrë një vendim për rritje të pensioneve. Rritje të pagës minimale në shkallë vendi në 34 mijë lekë, janë 200 mijë të punësuar që përfitojnë nga ky vendim i Këshillit të Ministrave. Rreth 900 mijë përfitojnë nga rritja e pensioneve dhe rritja e pagës minimale, vendime që u morën sot. Me këtë indeksim të dytë ne e çojmë rritjen e pensioneve për vitin 2022 në nivelin 9.5 %. Nga ky vendim përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve, pra rreth 678 mijë pensionistë të cilët nga pensioni që do të marrin nga muaji tetor do të kenë një rritje të pensioneve të tyre në nivelin 9.5 %. Morën edhe një vendim për sa i përket rritjes së pagës minimale në shkallë vendi. Me këtë vendim, paga minimale do të hyjë në fuqi 34 mijë lekë dhe ky është një vendim i cili prek një numër të madh të punësuarish. Janë mbi 200 mijë të punësuar që përfitojnë.”
E pyetur nga gazetarët për periudhën e funksionimit të bordit të transparencës tek karburantet dhe atij ushqimor, Ibrahimaj tha se këto struktura do të funksionojnë për sa kohë që ka rritje të çmimeve në bursa.