Patronazhimi i spitaleve rajonale, i shtohet programit edhe Dibra – Ndërhyrje kirurgjikale nga mjekë specialistë nga Tirana

448
Spitali Rajonal i Dibrës Burimi: Interneti

Sistemi i patronazhimit të spitaleve në rrethe ku ka mungesa në mjekë specialistë është zgjeruar më tej, pas nisjes javën e kaluar me spitalin e Burrelit. Tashmë mjekët e spitaleve universitare të Tiranës kanë nisur patronazhimin e spitaleve të Lezhës dhe Dibrës.

Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, do të kryhen ndërhyrjet kirurgjikale për rastet e planifikuara dhe pacientët nuk do të kenë më nevojë të vijnë në Tiranë por do ta marrin shërbimin afër vendbanimeve të tyre.

Por, sipas të dhënave të portalit “Infermierë për Shqipërinë”, këto dy spitale kanë edhe një mungesë të theksuar për infermierë dhe staf shtesë. Në Bashkinë e Dibrës janë të regjistruar 15 vende vakante në Qendrat Shëndetësore për infermiere/mami. Po ashtu edhe në Bashkinë Lezhë janë shpallur 11 vende vakante për infermierë/mami.

Brenda qarqeve përkatëse mungesat për infermierë janë edhe më të mëdha, ndërsa për të gjithë vendin duket se ka nevojë për 416 infermierë dhe rreth 100 mjekë specialistë, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit gjatë lancimit të portalit.

Mungesat në mjekë specialistë pritet të mbulohen nga programi i detajuar që po hartohet, i cili parashikon shtesa page deri në 2.5 milionë lekë të vjetra për mjekët që zhvendosen në zonat e thella ku ka më tepër nevoja.