Opinion / Nga Bllaca te Divizioni, banorët meritojnë kompensim të drejtë dhe trajtim me dinjitet për pronat e tyre

557
Divizionit, një ish-bazë ushtarake e periudhës komuniste në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Në Bulqizë, muajt e fundit po zhvillohen dy projekte të rëndësishme që prekin thellësisht jetën e banorëve. Megjithatë, në mes të premtimeve për zhvillim dhe përmirësim të infrastrukturës, një pyetje jetike ngrihet: Çfarë ndodh me të drejtat e qytetarëve që preken drejtpërdrejt nga këto investime? Historia na ka treguar se shpeshherë, zhvillimi dhe projektet madhore kanë ardhur në kurriz të atyre që janë më të pambrojtur. Mos të harrojmë ato që ndodhën në Tiranë me projektet e rrugëve apo të rindërtimit, ku forca policore përdhosi të drejtën e pronarëve për një kompensim të drejtë për banesat e ndërtuara me mund e me djersë. Banorët e Bulqizës, që rrezikojnë të humbasin pronat e tyre – si në fshatin Bllacë, ashtu edhe në lagjen Çupe në Bulqizë – duhet të marrin kompensimet e duhura dhe të trajtohen me dinjitetin që meritojnë.

Transformimi i Divizionit, një ish-bazë ushtarake e periudhës komuniste, në një destinacion turistik dhe kulturor është një iniciativë që mund të sjellë zhvillim ekonomik dhe tërheqje turistike për zonën. Në dukje, ky është një projekt i mirëseardhur. Lajmin për këtë investim e bëri të ditur zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një konference të mbajtur për përmbylljen e sezonit turistik veror. Megjithatë, nuk është diçka e re, pasi në Bulqizë ka vite që flitet për një investim të tillë. Madje, në kohën kur Balluku ishte e deleguar e Partisë Socialiste në Dibër, ajo promovoi investimin në pronat e ushtrisë. Por çfarë vlere ka ky zhvillim nëse banorët që do të preken, konkretisht familjet Çupi që kanë jetuar aty prej dekadash, mbeten në mëshirën e fatit, duke mos ditur çfarë do të ndodhë me shtëpitë dhe pronat e tyre? Disa prej këtyre familjeve, që aktualisht jetojnë në ndërtesat ushtarake, janë në një situatë të paqartë dhe të pasigurt. Ata nuk kërkojnë shumë, vetëm atë që u takon: një kompensim të drejtë për pronën e tyre dhe një garanci që nuk do të shpërfillen në emër të progresit.

Me pronat ka një abuzim të tmerrshëm, sidomos me ato që konsiderohen pronë shtetërore. Gjatë regjimit komunist në Shqipëri (1945–1991), prona private u hoq plotësisht dhe u zëvendësua nga prona shtetërore dhe kolektive, ashtu siç ndodhi me familjet që jetojnë në pronat e ish-Divizionit. Ata jetojnë në pronat e gjyshërve të tyre. Një zhvillim pozitiv në veriun e Shqipërisë pas rënies së regjimit ishte se toka u kthye në kufijtë e saj të mëparshëm pa konflikte të mëdha dhe probleme të pronësisë.

Në teoritë politike dhe shkencat sociale, pronësia ka një rol të rëndësishëm. Adam Smith, filozofi dhe ekonomisti skocez, ka thënë: “Prona që çdo njeri ka mbi punën e tij, duke qenë themeli fillestar i çdo prone tjetër, është më e shenjta dhe e paprekshme.” Një investim që nuk zgjidh pronësinë dhe nuk dëmshpërblen pronarët nuk është i drejtë dhe nuk u shërben qytetarëve.

Pas përfundimit të rrugës së Arbërit, nuk është çudi që oligarkia mund të vijë për një “copë resort” edhe në Bulqizë, pasi kanë shkatërruar dhe keqpërdorur sektorin minerar. Ky zhvillim nuk u intereson qytetarëve, por një grushti të vogël personash të lidhur me qeverinë. Për momentin, mbetet e paqartë nëse projekti për Divizionin do të realizohet si pronë publike apo do t’i jepet një kompanie private për zhvillim.

Nga ana tjetër, në fshatin Bllacë, situata është edhe më e ndjeshme. Banorët, 39 familje që jetojnë nga bujqësia, po luftojnë për tokat e tyre, të cilat janë burimi i vetëm i jetesës. Ndërtimi i një rezervuari që do të përmbyste këto toka, për të cilat banorët nuk kanë dokumentacion të plotë pronësie, por që i kanë trashëguar dhe kultivuar për vite të tëra, përbën një rrezik të madh për të ardhmen e tyre. Ata po kërkojnë të drejtën për të mbrojtur jetesën e tyre, të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe trashëgiminë e familjeve të tyre.

E drejta ndërkombëtare është e qartë. Neni 17 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut thekson se çdo individ ka të drejtën të zotërojë pronë dhe askush nuk mund t’i privojë nga kjo pronë në mënyrë arbitrare. Në rastet kur prona preket nga projekte të interesit publik, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në nenin 1 të Protokollit të Parë, nënvizon që çdo person ka të drejtë për mbrojtjen e pronës së tij dhe se çdo shpronësim duhet të shoqërohet me një kompensim të drejtë. Këto ligje nuk janë thjesht parime abstrakte; ato janë mburoja e fundit për njerëzit që luftojnë për të mbrojtur atë që është e tyre.

Në Shqipëri, historia ka dëshmuar shumë raste të shpronësimeve pa kompensim të drejtë, ku individët kanë mbetur të pafuqishëm përballë projekteve të mëdha. Është jetike që të mos përsëriten të njëjtat gabime. Banorët e Bulqizës nuk duhet të jenë viktima të një procesi zhvillimi që nuk i përfshin dhe nuk respekton të drejtat e tyre. Ata nuk duhet të shihen si pengesa për përparimin, por si bashkëpunëtorë dhe pjesë kyçe e suksesit të këtyre projekteve.

Zhvillimi nuk mund të vijë me çmimin e zhdukjes së trashëgimisë dhe jetesës së njerëzve. Banorët e prekur nga këto projekte duhet të kompensohen drejtësisht dhe të kenë mundësinë të mbrojnë pronat e tyre. Zëri i tyre duhet të dëgjohet, dhe të drejtat e tyre duhet të respektohen. Në fund të fundit, asnjë projekt zhvillimi nuk mund të quhet i suksesshëm nëse e lë pas vetes dëshpërimin dhe padrejtësinë e një komuniteti që ka humbur gjithçka.