Oda Dibrane feston përvjetorin e saj të 30-të

52
Oda Dibrane në Dibër, RMV

Oda Dibrane feston këtë vit përvjetorin e saj të 30-të. Ky festival i njohur, i cili zhvillohet çdo vit, përfaqëson një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të rajonit, duke promovuar vlerat tradicionale dhe lidhjet ndërkufitare mes komuniteteve shqiptare.

Hapja zyrtare e festivalit Oda Dibrane u bë nga kryetari i Bashkisë Dibër në Shqipëri dhe kryetari i Komunës Dibër në Maqedoninë e Veriut. Të dy drejtuesit vlerësuan kontributin që Oda Dibrane ka dhënë për promovimin e traditave dibrane, duke krijuar një urë të qëndrueshme bashkëpunimi.

Ashtu si çdo vit, nata e parë nisi në Dibër të Madhe, Maqedoni e Veriut, ku një paradë e veshjeve tradicionale tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve. Kostumet shumëngjyrëshe, që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të fshatrave dhe qyteteve të rajonit, demonstruan pasurinë dhe diversitetin e kulturës shqiptare.
Në mbrëmje, në Pallatin e Kulturës, ansamble folklorike nga rajoni konkurruan duke shfaqur këngët dhe vallet tradicionale, duke ruajtur kështu gjallë traditat e trashëguara brez pas brezi.

Gjatë natës së parë të festivalit Oda Dibrane, një nga momentet më të veçanta ishte performanca e arbëreshëve të Italisë, të cilët sollën në skenë këngët dhe vallet e tyre tradicionale. Pjesëmarrja e tyre përçoi një ndjesi të fortë të lidhjeve historike mes arbëreshëve dhe shqiptarëve, duke ofruar një dëshmi të gjallë të trashëgimisë kulturore që ata kanë ruajtur me krenari.

Dita e dytë dhe e tretë e festivalit zhvillohet në Peshkopi, ku parada e kostumeve tradicionale në Bulevardin “Elez Isufi” tërhoqi një numër të madh vizitorësh. Grupi pjesëmarrës tregoi jo vetëm pasurinë kulturore të rajonit, por edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar.
Oda Dibrane, përveçse një festë kulturore, është kthyer në një motor të rëndësishëm për promovimin e turizmit lokal dhe për forcimin e lidhjeve mes komuniteteve.