Sipmatizantë të dy partive janë konfliktuar mes tyre në vendin e quajtur Ushtelenxë, në Njësinë Administrative Tomin, ndërsa një polic i Poritit të Durrësit është arrestuar.
Sipas policisë mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të kësaj të mërkure.
Forcat e Drejtorisë Vendore dhe Komisariatit të Policisë Dibër, të mbështetur edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës, normalizimin e saj dhe kryerjen e veprimeve proceduriale.
Nga policia është arrestuar Demir Deda, 26 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, (Punonjës Policie në Stacionin e Policisë Port-Durrës, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës).
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Ushtelenxë, Njësia Administrative Tomin, Bashkia Peshkopi. Sipas policisë mësohet se simpatizantë të një subjekti politik kanë bllokuar qarkullimin e dy mjeteve në rrugë të një subjekti tjetër politik duke u konfrontuar verbalisht dhe fizikisht me njëri-tjetrin.
Sipas policisë nga efektivët u bë kontrolli fizik i dy automjeteve dhe disa personave të përfshirë në konflikt, ku në automjetin tip ”Range Rover”, që drejtohej nga shtetasi Demir Deda, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, të cilën ai deklaroi se e mbante me leje për shkak të detyrës si punonjës policie.
Përveç këtij automjeti, në shoqërinë e tij ka qenë dhe një automjet tjetër tip “Land Rover”, me mbishkrime e logo të një subjekti politik, ku u bë kontrolli i imtësishëm, nga ku nuk u konstatua asnjë send apo material i kundaligjshëm.
Gjithashtu, u kryen veprimet proceduriale dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, ndaj shtetasve:
D.R, 36 vjeç, banues në Peshkopi.
M.Z, 27 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
K.S, 23 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë.
Materialet në ngarkim të tyre u referuan si të dyshuar për kryerjen e veprave penale ”Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, ”Prishja e qetësisë publike” dhe ”Kanosja”, parashikuar nga nenet 293, 274, 84 e 25 të Kodit Penal. Të gjitha veprimet proceduriale janë kryer nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë Dibër.
/bulqizaime.al/