Nëse para një viti, do të thoje që Festime Mjeshtri do të jetë kryetare e Bashkisë Bulqizë, shumë persona do i kapte gazi dhe shumë pak do ta besonin. Por angazhimi i një makinerie të rëndë shtetërore në fushatë dhe një opozitë e “sakatuar” në çdo drejtim, solli që Mjeshtri të fitonte – ose më saktë t’ia jepnin në tavolinë – me një diferencë të thellë votash, për të drejtuar një bashki të vogël, si ajo e Bulqizës. Me njerëz kaq të vuajtur dhe të keqqeverisur në çdo drejtim.
Thuajse në çdo takim elektoral, Mjeshtri ishte një figurante dhe figura qendrore ishte ajo e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku. Si Zëvendëskryeministër, por edhe ministre e Infrastrukturës. Diskursi i shpërndarë në publik nga sistemi i patronazhimit por edhe nëpër mejhanet e një qyteti të vogël, ishte i qartë: po zgjedhim Festimen, por bashkinë do e drejtojnë nga lart dhe do kemi krah Belindën. Po nuk zgjodhën Festimen nuk do kemi investime, etj.
Fitorja e Festimes ishte e pritshme. Jo e Festimes, për ta rithënë vazhdimisht, por e makinerisë së rëndë elektorale të Partisë Socialiste dhe presionit zinxhir tek çdo punonjës i administratës publike dhe tek çdo biznes në sektorin minerar, që mund të sillte vota dhe mbështetje.
Kjo hyrje ishte sa për kujtesë. Kur ka mbushur plot një vit në drejtimin e Bashkisë së Bulqizës, Festime Mjeshtri ka një bilanc negativ në çdo drejtim.
Me arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, referuar edhe procedurave ligjore të prokurimit publik, shumë projekte të lëna në kohë fushate u pezulluan. Me ardhjen në krye të bashkisë, Mjeshtri mund të zgjidhte ti vazhdonte këto projekte ose ti anulonte përfundimisht. Përgjatë një viti, disa projekte rrugësh të nisura para arrestimit të Allës përfunduan e disa të tjera u anuluan.
Ajo që dihej botërisht, në një qytet të vogël ku shumica njihen, thjesht u provua. Në Bulqizë do të kishim një kryetare bashkie që nuk di se çfarë është puna e një të zgjedhuri vendor dhe sa i rëndësishëm është ky pozicion. Njerëzit si derën e parë ku trokasin, ku shkojnë për shqetësime dhe punët e përditshme është bashkia. Prej marrjes së detyrës dhe deri më sot, kjo e fundit nuk ka sjellë asnjë projekt të rëndësishëm në infrastrukturë dhe zhvillimin e qytetit. Por nga ana tjetër, për fasadë dhe dukje në rrjetet sociale nuk ka lënë festë të fëmijëve pa marrë pjesë.
Kur një drejtues nuk bën asgjë, mbase i duhet të kërcej nga belaja. Shpresoj që të mos jetë një rast i tillë edhe për Mjeshtrin.
Situata në terren sa i përket menaxhimit të qytetit është alarmante. Vetëm në Bulqizë, thuajse prej më shumë se një viti është shkatërruar çdo cep për rikonstruksionin e rrjetit të ujërva të zeza. Punimet po ecin me hapin e breshkës. Në shkelje të çdo afati të parashikuar në projekt. Lagjja e Re i ngjan një zone lufte; me rrugë të shkatërruara, ndriçimin e dëmtuar në thuajse të gjitha rrugët kryesore dhe fasada pallatesh të “leckosura”. Mos të flasim për njësitë administrative, në ato rrugë ku mungon asflati, prej vitesh edhe gropat nuk mbushen me çakull. Mos të përmendim ujësjellësat, kanalet vaditëse etj, që konsiderohen luks. Ndërsa shqetësuese po paraqitet edhe administrimi i mbetjeve. Tek kjo e fundit kishte një përpjekje për të shtrirë shërbimin në çdo njësi, por që prej kohësh edhe kjo po fillon të ketë probleme serioze.
Administrata e bashkisë vazhdon të fryhet, ndërsa nga ana tjetër produktiviteti dhe puna, siç prej vitesh ndodh, janë në rënie. Administratë më shumë për të mbushur sistemin e patronazhimit të Partisë Socialiste dhe për ta mbajtur pushtetin, por edhe si makineri për like dhe komente në rrjetet sociale.
Vetëm pak muaj nga marrja e detyrës, Festime Mjeshtri do të bënte lajm në media, jo për punë apo diçka interesante, por për korrupsion. Policia do të arrestonte tre zyrtarë të Bashkisë Bulqizë, akuzuar për lëshimin e vërtetimeve të origjinës për marrjen e shtetësisë bullgare, në këmbim të pagesave monetare. Më kryesori, Luan Mjeshtri, në atë kohë administrator i njësisë Ostren, vëllai i kryetares së Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri. Ky i fundit, ishte mbajtur në detyrën e administratorit në shkeljë të plotë të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Pas bërjes publike të rastit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe i Kontrollit të Pasurive do të niste një hetim për shkelje të ligjit ndaj kryetares së Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri. Në përfundim të shqyrtimit të akteve të hetimit administrativ, Inspektorati i Lartë do të vendoste një masë administrative, duke e mbyllur me kaq këtë histori. Ndërsa pas disa muajsh vëllai i kryetares së bashkisë do të linte qelinë, për t’u orvatur sërish nëpër dyert e Bashkisë Bulqizë.
Festime Mjeshtri si kryetare e Bashkisë Bulqizë ka marrë pjesë vetëm në disa raste në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Edhe në ato raste kur ka qenë në sallë, thuajse nuk ka folur asnjë fjalë. Prezantuesin e projekteve, por edhe përgjigjet për pyetjet që mund të kenë anëtarët e këshillit e ka marrë si rol zëvendëskryetari, Haxhi Pulja.
Mjeshtri përgjatë një viti ka dështuar edhe në sjelljen e investimeve të huaja. Asnjë projekt nuk duket në horizont që mund të jetë qoftë edhe donacion. Por pritje-përcjelljet me ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë dhe shëtitjet në Sofie nuk kanë munguar. Bullgaria, si një vend anëtar i Bashkimit Evropian është bërë burim shprese për qindra banorë të zonës së Gollobordës. Ata kanë emigruar masivisht si shtetas të Evropës, duke u pajisur me pasaporta bullgare. Por nga ana tjetër, këto zona janë lënë totalisht jashtë investimeve. Pa rrugë nacionale, ku punimet zvarriten prej vitesh dhe pa rrugë lidhëse me njësitë adminsitrative.
Belinda Balluku, si e deleguara politike e PS-së në Dibër, kandidimin e Festime Mjeshtrit në Bulqizë do ta konsideronte si një risi, kjo për një zonë me mentalitet të rëndë. Por gjatë një viti në krye të bashkisë, risi tek Mjeshtri, mund të jetë mjeshtëria e saj për zgjedhjen e fustaneve me shumëllojshmëri ngjyrash dhe festat me kalamajt e qytetit, ndërsa për risitë e tjera, mbase do të duhet të presim edhe më shumë.
Dhe në ato pak dalje të Festimes në mediat pro qeverisë, me fjalë që i thotë si të mësuara përmendsh, thelbi ishte i njëjtë: Bulqiza si patriarkale. Pra, kjo fjalë e mësuar përmendsh nga Mjeshtri në çdo dalje publike, besoj se ja kanë shpjeguar që do të thotë se është sundim i plotë dhe i padiskutueshëm i burrit. Një shoqëri e prapambetur në mënyrën e jetesës, në mënyrën e të menduarit etj. Pra duke ofenduar një qytet, që fundja e zgjodhi si qytetaren e parë. Pra i dha besimin për të drejtuar. Por besoj se shumica në këtë qytet e ka kuptuar se Festimja nuk është për të drejtuar. Jo se nuk do, por kaq di. Fundja padituria nuk është mëkat. Kjo e fundit e prezanton veten se vjen nga fusha e mjekësisë, por që çdo kush në Bulqizë e di që Mjeshtri vetëm me mjekësinë nuk ka lidhje.
Testi i parë do ishte buxheti për vitin 2024, që nuk zhgënjeu. Zhvillimin e takimeve ose dëgjesave publike fiktive ose fasadë me punonjësit e administratës dhe aktivist të partisë. Spektakli, koncept qëndror i qeverisjes në çdo nivel. Spektakli nënkupton, pra, mungesë të dialogut, sepse është vetëm Pushteti ai i cili “flet”. Patronazhisti dhe aktivisti duhet të jenë vetëm figurant dhe aktiv në rrjetet sociale.
Kjo nuk solli asnjë rezultat konkret, pasi buxheti nuk reflektoi aspak një ndarje të drejtë në investime. Buxheti i Bashkisë Bulqizë për vitin 2024 planifikohet të jetë afro 770 milionë lekë (të reja) ose afro 7.6 milionë euro. Pjesa më e madhe e buxhetit do të shpenzohet për pagat e administratës dhe shërbime, ndërsa afro 2.2 milionë euro do të shkojnë për investime. Investimet përbëjnë rreth 30% të buxhetit, një tregues shumë i keq për administrimin e bashkisë.
Siç po shohim gjatë këtij viti, investimet madhore të ministres Balluku nuk duken asgjëkund. Ndërsa banorët e Bulqizës do të vazhdojnë të përballen me një administratë dhe një drejtuese të paguar nga taksat tona, që nuk di se ku është dhe për çfarë është në atë pozicion.
Franklin D. Roosevelt, President i Shteteve të Bashkuara në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, zyrtarët e paaftë i konsideronte si “shkopat e vegjël që pengojnë rrjedhën e lumit”. Simbolikë se veprimet apo vendimet e dobëta, të cilat, megjithëse mund të duken si gjëra pa rëndësi, mund të kenë ndikime të mëdha në jetën shoqërore dhe ekonomike.
Për sa kohë që Mjeshtri mori votëbesimin, ky qytet, me njerëzit më të vuajtur në Shqipëri do të vijoj të marrë pasojat e votës së hedhur për interes të momentit apo për nder të dikujt. Këto interesa ikin shpejt, njeriu i zgjedhur gabim, mbetet.