“Një sy qorr e një vesh shurdh”, Policia kujtohet për masakrën në pyjet e Liqenit të Zi

1722
Foto ilustruese nga operacioni policor i koduar “Shtegu”. Burimi: DVP Dibër

Policia e Shtetit njoftoi këtë të martë, arrestimin e 3 personave si dhe shpalljen në kërkim e dy të tjerëve, si të përfshirë në prerjen e pyjeve.

Në pranga kanë rënë Banush Dedja, Ramadan Basha dhe Zabit Kola si dhe janë shpallur në kërkim dy vëllezërit, Bajram dhe Ajet Liçi. Siç thuhet në deklaratën e DVP Dibër, këta persona, në mënyrë të organizuar kishin prerë masivisht sipërfaqe pyjore në zonën e mbrojtur të Liqenit të Zi.

Nga veprimet hetimore, Policia deklaron se vëllezërit Liçi kishin punësuar 3 shtetasit e arrestuar, për të prerë në kundërshtim me ligjin lëndë drusore.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 mjete varinsk dhe 1 mjet kamion që shërbenin përkatësisht për hapjen e rrugëkalimeve dhe për transportimin e lëndës drusore, një motosharrë dhe një sasi lënde drusore e prerë ilegalisht, që u gjet në pjesë të ndryshme të zonës së mbrojtur Liqeni i Zi”, thuhet në deklaratën e DVP Dibër.

Kjo është një ndërhyrje shumë e vonuar nga strukturat e Policisë së Shtetit, pasi dëmtimi i pyjeve në Liqenin e Zi të Bulqizës është denoncuar prej vitesh nga banorët e zonës, por edhe në media. Por të gjitha këto veprime duket se nuk kanë rënë në sy edhe të autoriteteve pyjore, për ndalimin e dëmtimit të ekonomisë pyjore

Materialet procedural për rastin e Liqeni të Zi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme hetimore.

Sipas të dhënave nga ‘Global Forest Watch’, një shërbim monitorimi i pyjeve me qendër në SHBA, nga viti 2002 deri në vitin 2020, Shqipëria humbi 36,4 mijë hektarë pyje, e barabartë me një rënie prej 5,6% të sipërfaqes së pyllëzuar.

Hetimet e Prokurorisë për prerjet e paligjshme të pyjeve gjatë viteve të fundit tregojnë se ky aktivitet favorizohet shpesh nga zyrtarët e mjedisor, të cilët kanë tagrin për ta monitoruar dhe ndaluar krimin në pyje.

Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit. Një studim i PPNEA (Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), në nëntor 2019-të, gjeti se moratoriumi i pyjeve kishte kufizuar prerjet e pyjeve në sipërfaqe të mëdha, por se prerjet ishin intensifikuar në sipërfaqe të vogla.