*Nga Megi Fagu
Intervistë-portret//
E nis punën herët në mëngjes, edhe pse pas 10 vitesh puntor miniere të kapësh agimin e diellit nuk përbën më një shqetësim, për aq kohë sa lutet që të arrijë të shohë edhe diellin e së nesërmes e të çdo dite më pas.
Vitet që mban mbi shpatulla së bashku me punën e rëndë të nëntokës e kanë prishur disi portretin prej 40 vjeçari duke të të dhënë përshtypjen e një njeriu disi më të moshuar.
Duart që gjithmonë qëndrojnë kryqëzuar me shikimin lart nga miniera, gota e rakisë mbi tavolinë së bashku me një paketë cigare janë disa elementë shoqërues të profilit të puntorit.
Më duket e vrazhdë kjo skenë dhe në mënyrë krejt naive e pyes për vështirësitë apo problemet që ka puna në minierë.“Dita ime nis me lutjen që dita e punës të shkojë pa probleme e të arrij gjallë në shtëpi, ku më presin familljarët. Çdo ditë është e njëjta rutinë.
Duar me kallo, vagonë që presin të shtyhen nga këto duar të lodhura.” Hasani punon prej kohësh puntor në minierën e Bulqizës, dhe e ka parë atë subjekt që në hapat e parë e sesi është zhvilluar ndër vite, bashkë me problematikat që ka një punë e tillë. “10 vite punë nuk janë pak për të treguar realitetin e punës në minierë.
Aty has me lloj-lloj ndodhish dhe fatkeqsish po ashtu. Është e vrazhdë për këdo që e dëgjon, por kjo është e vërteta e punës që ne bëjmë.” Me droje, por edhe kuriozitet tentoj ta pyes mbi vështirësitë teknike që ka një punë e tillë. Duart e mbledhura dhe shikimi nga miniera ia nervozojnë disi portretin, dhe nis e më thotë këto fjalë: “Vështirësi ka boll, problem është si të shpëtojmë nga e keqja po na zuri.
Unë jam puntor i vjetër, pak mund të marr vesh nga shkresat, po ne si puntorë pavarësisht vështirësive që kemi në punë, vetëm diçka kërkojmë. Siguri!.
Janë vetëm fjalë ato që na thonë për sigurimet në punë se asgjë nuk kemi të sigurt. Nëse unë vritem nesër pasnesër do ngelem invalid apo i papunë e asnjë s’do ia dijë për mua. Problemet shëndetësore që vijnë nga lagështia që ka në front, janë hall tjetër, edhe pse me ligj ne duhet të kemi pagesë ekstra për punën në zonat me lagshtirë, asnjëherë nuk kemi marrë një pagesë plus.
Po ashtu , daljet e emergjencës detyrimisht duhet të jenë, po vetëm në letra. Nëse bllokohet dalja, ne mbetemi brenda se nuk ka mënyrë tjetër për të dalë nga aty.” Por problematika nuk mbetet vetëm këtu sepse edhe suporti me pajisje mbetet i dobët gjithashtu, qoftë edhe për gjërat më minimale që i duhen puntorit, kapele, çizme, e doreza që të paktën i ofrojnë një siguri minimale, por që mbeten primare në punë.
“Ka vite që nuk vihet dorë për të përmirsuar diçka, edhe po të revoltohesh asnjeri nuk do të të dëgjojë, që nga administrata jonë e deri më lart. Puna jonë është si thikë me dy presa, edhe ne kemi nevojë po edhe ata mbi ne, kanë nevojë për punën tonë.” Probleme të tjera që vijojnë nga puna është hierarkia që ndjek puna në front. “Nëse do zbatohej rregullorja pikë për pikë ne nuk do arrinim këtu ku jemi.
Për mua si puntor i vjetër, është shumë e vështirë që të kem të njëjtin respekt si puntori i ri. Nuk bëhët fjalë që të ketë rritje në detyrë, për aq kohë sa nuk na jepet asnjë e drejtë që na takon.” Të drejtat nisin që nga pagesat e rregullta, siguracioni, njohja e vjetërsisë së punës, apo rritja në detyrë pasi kalon një periudhë maturie. Po ashtu një shqetësim i theksuar mbetet leja e zakonshme, e cila duhet t’i njihet çdo puntori pasi kalon 3 muaj në punë. Është e drejtë ligjore për ta kërkuar lejen, por fakt është që nuk iu ofrohet.
Po ashtu rroga e 13-të, apo një shpërblim sado modest për punën. Teksa futet në brendi të problemeve, fillon rrëfen mbi shqetësimet për të ardhmen. “Tani jam mësuar me këtë ritëm pune, shqetësimi im është e ardhmja. Nëse nuk më njihen vitet e punës, me çfarë do mund ta siguroj jetën.Nëse nuk kam një pension që më njëh vjetërsinë e punës, do jem vetëm një barrë për fëmijët e mi.”
Portreti i ngrysur, turbulluar nga tymi i cigares e dërgojnë larg me mendime duke kujtuar aksidentet në vendin e punës, që duhet thënë se janë të shpeshta.
Kjo shpjegon edhe deformimet e ndyshme fizike në duar e trup, për shkak jo vetëm të ritmit të shpejtë të punës, por edhe pakujdesisë e mungesës infrastrukturore dhe teknike. Fakti që vetë puntorët duhet të blejnë pajisjet e punës, ofron një mjedis ku zë vend neglizhenca dhe lënia në harresë e nevojës për siguri në kushtet e punës. “Në këtë mënyrë që ne punojmë, vetëm lutemi të mos na ndodhin fatkeqësi.
Kështu si jemi, kemi përfunduar vetëm në duart e disa gjakpirësve. Nëse gjatë komunizmit puntorin e minierës e quanin hero në punë, sot ne jemi shtresa më e përbuzur, pa ambicie, pa siguri, pa të ardhme, pa jetë. Kjo e jona është vetëm mbijetesë.”
BURIMI: Ishull.com