Nishani: Precedenti “Kavaja” dhe rreziku për 18 Qershorin!

450

Ndërsa Presidenti në detyrë Bujar Nishani ka dekretuar 7 Majin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve bashkiake në Kavajë, situata duket se është në ngërç. Në një prononcim ekskluziv për Express, kreu i shtetit thotë se nuk mund të njoftohej Presidenti për një vendim të KZAZ-së së Kavajës.

Sipas tij, Presidenti njoftohet kur ka një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin zgjedhor në Kavajë, vendim i cili ende nuk është marrë. Më herët, Express mësoi se KQZ është zënë ngushtë pasi ka vështirësi të shprehet për të ardhmen e zgjedhjeve në Kavajë, për vet faktin se në nenin 161 të Kodit Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve, nuk është e përcaktuar në asnjë pikë, tërheqja e të gjithë kandidatëve.

Kreu i shtetit thotë se ‘fati’ i zgjedhjeve të Kavajës duhej t’i ishte adresuar edhe nga Këshilli i Ministrave, apo nga një vendim i Kolegjit Zgjedhor, por në asnjë rast nga një Komision Zonal i Administrimit Zgjedhor.

Për Express, Nishani thotë se KQZ e ka njoftuar se zgjedhjet në Kavajë nuk u zhvilluan për shkak se cenohej siguria kombëtare. Një situatë që sipas tij nuk qëndron, pasi në të kundërt, pra nëse ky argument do të ishte i vërtetë, Presidenti do duhej të thërriste Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

‘Nuk mund të lihet vendimi në duart e Presidentit përsa kohë nuk ka një vendim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për procesin zgjedhor’, u shpreh Nishani duke ju referuar datës së re për mbajtjen e zgjedhjeve në Kavajë, pas ‘djegies’ së 7 Majit. Ai shtoi se për këtë situatë do të shprehet përmes një letre që Presidenca do t’i d

Moszhvillimi i zgjedhjeve në Bashkinë e Kavajës, sipas presidentit Nishani, nuk ishte tërheqje, humbje apo fitore për askënd, por ishte goditje për të ardhmen e proceseve zgjedhore të ardhshme në Shqipëri. Nishani vë në pikëpyetje se si do të jetë situata në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit, kur mund të ketë sërish një situatë të ndezur politike, ndoshta me opozitën që do të vijojë protestat. A do të ketë sërish tërheqje të kryeministrit Rama për të shmangur trazira?!

***

7 maji ishte data e dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani për zhvillimin e zgjedhjeve në Bashkinë e Kavajës. Me shkarkimin e Elvis Roshit për shkak se rezultoi në shkelje me ligjin e dekriminalizimit, në garën elektorale hyri vetëm zëvendësi i tij, Klodian Shehi. Partia Socialiste e zgjodhi zyrtarisht si kandidat, ndërsa opozita nga ana e saj i bojkotoi këto zgjedhje, si hapin e parë që do të pasonte më tej edhe vendimin aktual të demokratëve: Bojkotin e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit 2017.

Për ta legjitimuar si proces, u fut në garë edhe një kandidat i pavarur. Por ishte e paprecedentë ajo që ndodhi vetëm dy ditë para zgjedhjeve që priste të mbante Kavaja për kryebashkiakun e saj.

Kryeministri Edi Rama doli publikisht në një deklaratë për mediat për të kërkuar tërheqjen e kandidatit socialist e bëri ti bëri thirrje edhe kandidatit të pavarur. Kështu, një ditë para zgjedhjeve, të dy kandidatët ju drejtuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesën zyrtare të tërheqjes së tyre nga gara elektorale. Kavaja mbeti pa zgjedhje, dhe argumenti që kreu i qeverisë Rama tha për këtë vendim ishte: Shmangia e planit për destabilizim të vendit që sipas tij kishte thurur Partia Demokratike. Tërheqja e kandidatëve çoi edhe në anulimin e protestës që opozita ksihte planifikuar të mbante në ditën e zgjedhjeve, të dielën në Kavajë. E Rama ju druajt pikërisht trazirave që mund të ndodhnin gjatë protestës, për të cilën demorkatët kishin deklaruar se qëllimi i tyre ishte të bllokonin procesin zgjedhor.

Por nga gjithë kjo rrjedhë e ngjarjeve, me i papërgatitur është zënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në Kodin Zgjedhor nuk është i parashikuar ky rast i paprecedentë, pra tërheqja nga gara në moment të fundit e të gjitha kandidatëve. Në këto kushte, KQZ tha se do të njoftonte presidentin Bujar Nishani pasi të merrte vet një vendim paraprak në lidhje me situatën e krijuar. KQZ u njoftua nga Komisioni i Administrimit të Zonës Zgjedhor nr. 42 në Kavajë për mos tërheqjen e fletëve të votimit, mos hapjen e qendrave të votimit dhe të numërimit, çka bëri fakt mos zhvillimin e zgjedhjeve në Kavajë.

/Gazeta Express/