Nis puna për rehabilitimin e rrugës Peshkopi – Tiranë

610
Aksi nacional Peshkopi - Tiranë, segmenti Kloskatund. Foto: Bulqizaime.al

Mos e beso po deshe duhet thënë në këso punësh!

Gropat që po shkatërronin makinat e udhëtarëve nga Dibra, Bulqiza dhe Klosi duket se do të mbushen. Kjo pasi kompania “Alko Impex Construction” që do të ketë në mirëmbajtje rrugët në rajonin verilindor, ka nisur punën edhe në aksin nacional Peshkopi – Tiranë.

Janë tre segmente rrugore në këtë aks që janë shkatërruar totalisht; Maqellarë – Peshkopi, Bulqizë – Klos dhe nga Burreli në Ulëz.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e lotit 2, kontrata B me objekt “mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Verilindor” që në muajin maj të këtij viti, dhënë kompanisë “Alko Impex Construction” në pronësi të familjarëve të ish-deputetit të PS, Sadri Abazi.

Në dokumente thuhet se vlera totale e kësaj kontrate është 1.418.031.731 lekë pa TVSH, ose me TVSH rreth 14 milionë euro – kjo 99.9 % të fondit të akorduar ose me 38,544 lekë më pak se fondi limit.