Nga Klodian Tomorri / Sa kushton të blesh 4 vite pushtet në Shqipëri?

706
Klodian Tomorri, gazetar ekonomie në televizionin Top Channel

Që kur Shqipëria u përfshi nga fenomeni i blerjes masive të votave, një nga sfidat që ka ngacmuar jo pak kurreshtjen e ekonomistëve është vlerësimi sasior i tregut të votave në terma monetarë. Për ta thënë më thjesht sa është vlera e parave që shpenzohen për të blerë zgjedhjet?

Statistikisht kjo është një sfidë e vështirë për një sërë arsyesh. Së pari, transaksionet e blerjes së votave janë informale dhe të jashtëligjshme, ndaj regjistrimi i drejtëpërdrejtë i tyre është i pamundur. Së dyti, edhe metodat indirekte të vlerësimit përmes sondazheve janë po ashtu të dyshimta për shkak të ashtuquajturit “efekti i dëshirueshmërisë sociale”. Pra tendenca e të pyeturve që të mos pranojnë se e kanë shitur votën, por të përgjigjen në mënyrën që shihet si më e moralshmja nga shoqëria.

Megjithatë, përgjimet e Dibrës ofrojnë dy të dhëna shumë të dobishme. Së pari çmimin mesatar të blerjes së votës dhe së dyti, potencialisht edhe sasinë dysheme të votave të blera, gjithmonë nën disa supozime të forta.

Sipas përgjimeve të bëra publike nga gazeta Bild, një votë në zagjedhjet vendore për Bashkinë e Dibrës është shitur me një çmim mesatar prej 4 mijë lekë, pra nga 3 deri në 5 mijë lekë. Nga ana tjetër, krahasimi i rezultateve për dy zgjedhje të mbajtura në harkun kohor të një viti, potencialisht sinjalizon edhe sasinë minimale të votave që Partia Socialiste ka blerë në zgjedhjet e Dibrës.

Në vitin 2015 Shukri Xhelili i Partisë Socialiste u zgjodh kryetar i Bashkisë së Dibrës me 15 mijë vota. Fiks një vit më vonë, Muharrem Rama po i Partisë Socialiste u zgjodh kryebashkiak me 18 mijë e 600 vota, pra 3600 vota me shume.

Por edhe shifra prej 3600 mund të jetë vetëm nivele dysheme i votave të blera dhe vetem nga nje parti. Duke parë imazhin e përkeqësuar të Partisë Socialiste në Dibër pas skandalit seksual të Shukri Xhelilit, dhe votat qe mund te jene blere nga partite e tjera, atehere sasia reale e votave të blera në këtë bashki mund të variojë nga 6 mijë deri në 7 mijë vota. Në total Bashkia e Dibrës ka 30 mijë votues, çka do të thotë se votat e blera zënë 25 për qind të totalit të votave.

Niveli prej 25 për qind i votave të blera mbështetet edhe nga dy argumente llogjike. Së pari ai është afër masës së të ashtuquajturve votuesit gri, ata që janë të lëkundur për votën e tyre dhe që janë përcaktues në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Së dyti, ky nivel është konsistent edhe me gjetjet e studimeve më të njohura empirike në këtë fushë të kryera në vendet e ngjashme si Shqipëria. (shiko “Vote Buying and Social Desirability Bias: Experimental Evidence from Nicaragua”, Gonzalez-Ocantos et al 2010).

Këto dy tregues shumë të rëndësishëm që zbulojnë zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës mund të përdoren në nivel kombëtar për të vlerësuar sasinë e përafërt të parave që shpenzohen në Shqipëri për blerjen e votave.

Sipas tabelës zyrtare nga KQZ, në zgjedhjet e vitit 2017 numri total i votave të vlefshme ishte 1 milionë e 580 mijë. Nëse zbatohen treguesit e Dibrës, atëherë rezulton se në vitin 2017 janë blerë rreth 350-400 mijë vota. Çmimi i votave në zgjedhjet e përgjithshme tenton të jetë më i lartë për shkak se edhe plaçka e fitores është shumë herë më e madhe. Madje në disa raste, në zgjedhjet e përgjithshme çmimi i votës arrin deri në 100 euro e ndoshta edhe më shumë.

Duke marrë parasysh këtë, atëherë në shkallë kombëtare tregu i blerjes së votave varion nga 20 deri në 40 milionë euro. Megjithatë shuma totale e shpenzuar mund të jetë edhe më e madhe për shkak se një pjesë jo e vogël mund të përvetësohet nga sekserët që partitë përdorin për blerjen e votave, siç dëshmon edhe rasti i Dibrës.

E gjitha kjo është një llogari e mbështetur në supozime shumë të forta. Megjithatë ka edhe një mënyrë tjetër indirekte, që e konfirmon. Kur blerja e votave ndodh në masivisht siç është rasti i Shqipërisë, atëherë ajo shkakton pasoja në shlallë makroekonomike duke ndryshuar agregatët monetarë. Për ta thënë më thjesht, blerja e votave rrit kërkesën për likuiditet. Rrjedhimisht paratë dalin nga bankat dhe shkojnë në treg duke rritur sasinë e parave në qarkullim dhe agregatin monetar M1.

Kjo është një metodë që përdoret gjerësisht nga ekonomistët për të identifikuar blerjen e votave në vendet e ngjashme si Shqipëria. (shiko “Detecting vote buying in monetary aggregates: New evidence on monetary political cycles,” Aidt et al 2015).

Në maj-qershor të vitit 2017, paraja në qarkullim u rrit me 7 miliardë lekë ose 60 milionë euro, që do të thotë se 60 milionë euro dolën nga bankat për t’u hedhur në qarkullim. Pjesa më e madhe e tyre mund të kenë shkuar pikërisht për të financuar blerjen e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se në Shqipëri 4 vite pushtet blihen me vetëm 40 milionë euro.

*** Klodian Tomorri është gazetar ekonomie në televizionin Top Channel. Ky artikull është shkëputur nga një postim bërë në profilin e tij në Facebook.