Këshilli i Byrove dhe Byroja Shqiptare e Sigurimeve njoftojnë se duke filluar nga 15 janari 2025, Kartoni Jeshil, e njohur edhe si Certifikata Ndërkombëtare e Sigurimeve Motorike (IMIC), do të pranohet edhe në format elektronik PDF. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të dokumenteve të udhëtimit për automjetet në të gjithë zonën e sistemit të Kartonit Jeshil, që përfshin 48 shtete, përfshirë edhe Shqipërinë.
Përdorimi i Kartonit Jeshil në PDF është një lehtësim i dukshëm për shoferët që udhëtojnë përtej kufijve. Në rastin e udhëtimeve ndërkufitare, drejtuesit e mjeteve do të jenë në gjendje të paraqesin këtë certifikatë në format PDF në kufi dhe të vijojnë qarkullimin e tyre pa asnjë pengesë. Anila Hoxha, Drejtoresha Ekzekutive e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, theksoi rëndësinë e përgatitjes së institucioneve shqiptare për këtë ndryshim, duke shprehur se të gjitha autoritetet e përfshira në zbatimin e ligjit dhe kontrollin e kufijve duhet të jenë gati për të njohur këtë format të ri të Kartonit Jeshil nga janari 2025.
Lehtësimi i qarkullimit dhe mbrojtja e viktimave të trafikut ndërkufitar
Greet Floré, Drejtor Menaxhues i COB (Këshilli i Byrove), ka theksuar se që nga janari, të gjitha vendet anëtare të sistemit të Kartonit Jeshil do të jenë të detyruara të pranojnë versionin elektronik PDF të kësaj certifikate. Sipas tij, sistemi i Kartonit Jeshil ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare të automjeteve duke ofruar sigurinë e mbulimit të përgjegjësisë ndaj palëve të treta për të gjitha automjetet që kalojnë kufijtë. Për viktimat e aksidenteve ndërkufitare, ky sistem ofron një mbrojtje të shtuar, duke garantuar se kompensimi për dëmet do të bëhet sipas rregullave të shtetit ku ndodh aksidenti.
Në të njëjtën linjë, Byroja Shqiptare e Sigurimeve njofton se ka nisur informimin e të gjitha autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe autoriteteve kufitare për këtë ndryshim. Çdo mjet i huaj që hyn në territorin shqiptar nga janari do të ketë mundësinë të paraqesë çertifikatën në format PDF, njësoj sikur të kishte një karton fizik. Ky përditësim synon të zvogëlojë pengesat administrative dhe të përshpejtojë lëvizjen ndërkufitare për rreth 500 milionë automjete që qarkullojnë brenda zonës së Kartonit Jeshil.
Rëndësia e Kartonit Jeshil në lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare
Kartoni Jeshil, i njohur për herë të parë në 1949 dhe i festuar për 75 vjetorin e tij këtë vit, mbetet një dokument jetik për sigurimin e drejtuesve të mjeteve. Lëshimi i tij mbikëqyret nga byrotë përkatëse në secilin vend anëtar dhe synon të përmirësojë sigurinë për shoferët dhe përdoruesit e rrugëve. Të gjitha vendet anëtare të sistemit, duke përfshirë Shqipërinë, do të vazhdojnë të pranojnë certifikatat në letër, por tani do të pranojnë edhe versionin elektronik PDF si një alternativë të vlefshme.
Sipas rregullave të reja, ky dokument elektronik garanton që automjetet vizitore janë të pajisura me sigurimin minimal të detyrueshëm dhe që vendet ku ndodhin aksidentet të kompensojnë dëmet e viktimave sipas ligjeve lokale. Ky ndryshim do të përmirësojë jo vetëm qarkullimin por edhe proceset e kompensimit për viktimat e aksidenteve, duke rritur mbrojtjen dhe sigurinë në rrugët ndërkufitare.